Aludimet ndaj ambasadorit Soreca dhe zv. ministres, Manjani: Paburrni, t’ia themi në sy të vërtetat

Ambasadori i Bashkimit  Evropian në vendit tonë, Luigi Soreca, u detyrua mbrëmë që të jepte sqarime në lidhje me një aludim që është botuar në media së fundmi për një lidhje intime të tij me zv. ministren e brendshme, Romina Kuko.

Ish-ministri i Brendshëm, Ylli Manjani, nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale ka shprehur indinjatën e tij në lidhje me këtë situatë të krijuar për diplomatin e huaj.

Manjani shkruan se “ndyrësirllëku i sulmit publik me këto mjete më duket më shumë paburrni sesa shantazh”.

Sipas ish –ministrit burrnia e kërkon që ambasadorin Sorecca, përfshi dhe organizatën që ai përfaqëson, t’ia thuash drejt në sy kritikën që ke.

“Sorecca dhe organizata e cila e ka deleguar këtu, na kanë dëmtuar seriozisht dhe shumë rëndë dhe drejtpërdrejtë kur: 1. Lejuan kanabizimin e ekonomisë e kriminalizimin e shoqërisë. Vetëm një fjalë e tyre e ndalonte atë krim, por nuk e thanë. 2. Rekomanduan tre herë me radhë hapjen e negociatave, por raportet e tyre ishin aq të vërteta sa shtetet anëtare i hodhën në kosh. Gënjeshtra nuk është ndihmë. 3. Mbështetën dhe ende e bëjnë, më shumë sundimin e Bosit sesa të ligjit në këtë vend. E kam të pa mundur të mendoj sundim të ligjit, kur mbështetet Bosi të dhunojë Kushtetutën. 4. Kërkojnë luftë kundër korrupsionit, kur vetë dhanë modelin se si blihet një pronë pa tender e me çmim më të lartë se tregu. Shembull i keq ky sepse ju hoqi fytyrën për të folur për standard”, shkruan Ylli Manjani.