Flash News

KRYESORE

Ambasada e Shqipërisë në Holandë vendoset në funksion të propagandës së kryeministrit

Kundër çdo rregulli diplomatik, Ambasada e Shqipërisë në Holandë është vendosur në shërbim të propagandës politike të kryeministrit Edi Rama.

Në profilin zyrtar në ‘Facebook’, ambasada shpërndan herë pas here video të kryeministrit Rama që nuk lidhen aspak me politikën e jashtme apo zhvillime në marrëdhëniet Shqipëri-Holandë dhe Shqipëri-BE.

Aty mund të gjesh video që tregojnë se si një qytetare të cilës i është hequr ndihma ekonomike, pavarësisht gjendjes së vështirë, sot jeton më mirë për shkak se qeveria i ka gjetur punë. Nuk mungojnë as videot dhe fotot nga takimet e Ramës me banorë të qyteteve të ndryshme, që janë pothuajse të ngjashme me takimet elektorale.

Nga një vëzhgim i kryer në faqet zyrtare të Ambasadave të Shqipërisë në Hungari, Greqi, Slloveni, Maqedoni, Vatikan, Gjermani, Itali, Spanjë, Rusi, Kosovë dhe Austri, rezulton se publikohen vetëm ngjarje që lidhen me aktivitetet e ambasadorëve apo ripublikime të deklaratave dhe takimeve të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, por jo ato të kryeministrit Rama, siç ndodh në faqen e Ambasadës në Hagë.

Ambasada në Holandë drejtohet nga ambasadorja Adia Sakiqi, e cila vitin e kaluar shkaktoi shumë zhurmë me mohimin që i bëri raportit të policisë holandeze ku ndër të tjera diskutohej edhe për vendosjen e vizave me Shqipërinë. Sakiqi e konsideroi 'Telegraaf', që publikoi raportin, si një gazetë sensacionale, çka solli edhe reagimin e ashpër të kësaj media.

Të fundit