Ambasadori gjerman: Reformën zgjedhore bëjeni vetë, me Holandën jemi partnerë të ngushtë

Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf është kundër propozimit të opozitës, ku reforma zgjedhore duhet që të drejtohet nga faktorët ndërkombëtarë.

“Unë nuk mendoj që partnerët ndërkombëtarë do të duhet të drejtonin një reformë të tillë të rëndësishme siç është ajo e reformës zgjedhore. Këtë e konsideroj detyrë të institucioneve shqiptare. Ajo që ne mund të bëjmë, është që të japim ndihmë teknike.

Shpresoj që të gjitha forcat politike të mund të kontribuojnë në realizmin e kushteve. Pastaj se si do të sillet secila forcë mbetet për tu parë. “, tha ai në një intervistë për News 24.

Ambasadori gjerman nuk e shikon si një krizë atë çfarë po ndodh në vend, por më shumë si një bllokadë.

“Unë nuk e shikoj si krizë politike, por unë dua të përdor termin bllokadë. Shpresoj shumë që bllokada të mënjanohet, në mënyrë të tillë që procesi i integrimit, që do të jetë i gjatë, të mos vonohet. “

Në vazhdim, ai u ndal edhe te hezitimi i Holandës dhe Francës për t’i thënë po hapjes së negociatave për Shqipërinë me BE-në.

“Gjermania i ka thënë po çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, me disa shënime anësore. Lidhur me këtë ka pasur një debat mjaft të fortë në Bundestag mes forcave të ndryshme.

Propozimi i palës gjermane është mbi tryezë dhe ne shpresojmë që mbi bazën e këtyre ndryshimeve të mund të mbërrijmë në një akord.

Ne jemi partnerë mjaft të ngushtë evropianë dhe flasim shumë me njëri-tjetrin dhe sigurisht që hedhim propozime të përbashkëta. “, tha Zingraf.