Ambasadori i OSBE-së ka një zgjidhje për propozimin e PD-së për reformën zgjedhore

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, u përgjigj në lidhje me propozimin e PD-së për të ngritur një strukture të re me ekspertë të OSBE-së, Bashkimit Evropian, dhe SHBA, duke mos njohur komisionin aktual bipartizan të reformës .

“Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer, ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër”, tha Borchardt.

Ai foli edhe për kërkesën e parlamentit gjerman, për të ndryshuar mënyrën e financimit të partive.

“Do të ishim më se të lumtur të organizonim debate edhe për këtë çështje. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Por, sa i takon vendimmarrjes, Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament.”, tha ai për”Zërin e Amerikës”.