Ambasadorja Yuri Kim sheh pasojat e tërmetit në Durrës: Miqtë amerikanë në dijeni të situatës; gjithçka për tu ardhur në ndihmë

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim ka vizituar sot Durrësin, ku ka parë nga afër situatën dy muaj pas tërmetit.

Duke shprehur solidaritetin me familjet e prekura, Kim theksoi se do vijojë puna ngushtësisht me qeverinë shqiptare për tu ardhur në ndihmë banorëve.

Ajo nënvizoi se miqtë amerikanë janë në dijeni të situatës që nga fillimi.

“Dëshironim të vinim për të shprehur solidaritet me qytetarët e Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Është e rëndësishme për miqtë të festojnë së bashku por më e rëndësishme është të mund ta ndihmojnë njeri-tjetrin. Sapo kam ardhur nga vizita e Kryqit të Kuq shqiptar sepse doja të shihja jo vetëm dëmet por edhe përpjekjet që po bëhen për rikuperimin nga dëmet.
Doja që populli shqiptar ta dinte se miqtë tuaj amerikanë janë në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur.
Ndihma jonë financiare, teknike dhe njerëzit tanë erdhën menjëherë pas fatkeqësisë. Ne do vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me qeverinë shqiptare për të bërë gjithçka që është mundur për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve”, tha ambasadorja e SHBA.