Flash News

OP-ED

Amerika luan, Europa paguan

Amerika luan, Europa paguan

Paolo Bergamaschi

Zgjerimi i fundit i Bashkimit Europian daton në vitin 2013 kur, më 1 korrik, Kroacia bëri hyrjen zyrtare duke u bërë vendi i 28-të anëtar. Që atëherë asgjë më shumë, përveç dezertimit të zhurmshëm të Britanisë së Madhe me referendumin e 2016, që e çoi numrin e anëtarëve në njëzet e shtatë. Megjithatë, politika e zgjerimit e BE-së duhet të llogaritet ndër sukseset e pakta të politikës së jashtme të përbashkët. Nuk ishte aspak e thjeshtë të lidhje hendekun politik, ekonomik, social dhe kulturor që ndante vendet ish-Paktit të Varshavës nga të tjerët në kontinentin e vjetër.

Brukseli ka qenë në gjendje të drejtojë procesin që ka shndërruar shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore në demokraci liberale dhe ekonomi të tregut me investime të mëdha në burime njerëzore dhe financiare. Megjithatë, jo gjithçka shkoi mirë. Rastet e Polonisë dhe Hungarisë, në fakt, na kujtojnë se për të përfunduar metamorfozën demokratike kemi nevojë për një sërë vlerash që nuk mund të formësohen brenda disa viteve. Jo të gjitha fluturat që dalin nga larva fluturojnë. Kjo është ajo që e ka ftohur entuziazmin e opinionit publik europian për një proces zgjerimi që ende është duke u zhvilluar zyrtarisht, por instrumentalisht i vonuar. Viktimat e këtij rishikimi në vazhdim janë vendet e Ballkanit Perëndimor, ose republikat e ish-Jugosllavisë, plus Shqipërinë. Lufta e fundit në Ballkan në 1999 çoi në shkëputjen e Kosovës, por pas 20 vjetësh konfigurimi politik i rajonit ende duket tepër i brishtë.

Mosmarrëveshjet territoriale, historike, etnike dhe fetare helmojnë marrëdhëniet midis shteteve, pre e elitave ultra-nacionaliste që jetojnë në kurriz të konfrontimit dhe kundërshtimit. Bosnja dhe Hercegovina është gjithmonë në prag të kolapsit, e burgosur siç është në një arkitekturë institucionale komplekse, me bazë etnike, që i dha fund luftës, por përfundoi duke paralizuar funksionimin e shtetit. Serbia dhe Kosova janë kokë më kokë, me Beogradin që refuzon të njohë pavarësinë e provincës së dikurshme. Dhe është pikërisht në Kosovë ku politika e jashtme e pasigurt europiane ka të ngjarë të zhvillohet. Që nga viti 2011, diplomacia e Brukselit ka udhëhequr negociatat të cilat duhet të çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në nëntë vjet, mbi 30 marrëveshje sektoriale janë nënshkruar midis palëve.

Bashkimi Europian siguron fonde të mëdha për të dy vendet për të mbështetur një proces anëtarësimi që kërkon reforma strukturore të gjera. Për më tepër, që nga viti 2008, misioni më i rëndësishëm i politikës së jashtme europiane ka funksionuar në Kosovë, me detyrën për të ndihmuar dhe monitoruar strukturat e brishta administrative lokale. Në praktikë, Europa vepron si një dado që bën t’i heqë gjirin një vendi që po përpiqet të funksionojë më vete. Gjithmonë e ka bërë këtë në bashkëpunim me diplomacinë amerikane. Deri disa muaj më parë, kur Uashingtoni vendosi të anashkalojë Brukselin duke marrë frenat e negociatave të ndërlikuara.

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në nëntor në ShBA. Trump dëshiron ta kreditojë veten në fushatën zgjedhore si një burrë shteti i klasit botëror duke shtuar në gjoks disa medalje të politikës së jashtme. Atij nuk i eci me Kim Jong-un dhe Korenë e Veriut; marrëveshja e paralajmëruar me Talibanët në Afganistan është në rënie. Pse të mos provojë konfliktin e ngrirë midis dy shteteve të Ballkanit?

Richard Grenell, i dërguari amerikan, ka qenë hiperaktiv muajt e fundit. Thashetheme këmbëngulëse vijnë nga shumë anë se në Uashington do të ishte gjetur një marrëveshje tashmë midis Vuçiçit dhe Thaçit, presidentëve të Serbisë dhe Kosovës. Do të nënkuptonte një shkëmbim territoresh përgjatë vijave etnike: pjesa veriore e Kosovës, e populluar kryesisht nga serbët, do të kalonte nën kontrollin e Beogradit ndërsa një rrip i Serbisë, i populluar kryesisht nga shqiptarët, do të kalonte nën kontrollin e Prishtinës.

Sidoqoftë, ridizajnimi i kufijve në Ballkan është si ndezja e një shkrepseje në një fuçi baruti. Gjithçka mund të shpërthejë. Bosnja do të copëtohej dhe tensione të reja ndëretnike do të përhapeshin në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sërish, makthi i një lufte tjetër në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Diplomacia amerikane kujdeset pak për vorbullën e paqëndrueshmërisë në të cilën mund të thithet kontinenti i vjetër.

Amerika është lojtari ndërsa Europa është pagatari. E thënë thjeshtë, Uashingtoni vendos dhe Brukseli paguan. Dhe paguan dy herë: së pari faturën e rëndë të rindërtimit të pasluftës së zonës së Ballkanit, pastaj për pasojat shkatërruese të marrëveshjes së vendosur në Uashington. Na rroftë solidariteti i supozuar transatlantik.

Përkthimi: Politiko.al

Të fundit