Amerikanët pas prokurorëve shqiptarë? Po, që nga ‘Plepat’!

Alfred Lela

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka bërë të martën një deklaratë, qëllimi i së cilës dukej të ishte veshja me ‘imunitet’ e veprimtarisë së Prokurorisë shqiptare, institucion që besohet se është në një proces shndërrimi rrënjësor. Proces që do të përfundojë në një ‘brave new world’, me prokurorë që do i ngjanë Eliot Ness-it, Bob Kenndy-t apo Robert Muellerit. Duke qenë mbështetës, që prej fillimit, i nevojës për Reformë në Drejtësi, ende dua ta besoj këtë shndërrim apokaliptik, që e nxjerr Arkën e Noes së drejtësisë në bregun e së nesërmes, me virtytet që i duhen dhe me veset të gjitha mbytur poshtë karkasës së ditës së kiametit.

Kështuqë, na duhet ta marrim seriozisht shpalljen e L.M.-Ones dhe t’i japim mirënjohje partnerit të madh të shqiptarëve, Amerikës, që, prej herët, vitin ’92, dhe thuajse në të gjitha vitet në vazhdim, e ka patur në fokus sistemin e drejtësisë, duke besuar, me të drejtë, se nëpërmjet një gjyqësori të pavarur do të korrigjohej edhe klasa jonë politike, tipike ballkanike, mbytur nga dëshira për të qenë vetë ligji.

‘Reforma’ e parë, në të cilën, me siguri, kanë patur këshillë edhe partnerët amerikanë të angazhuar pranë Partisë Demokratike të sapoardhur në pushtet, ishte zëvendësimi i klasës së gjyqtarëve të ardhur nga komunizmi. Për këtë u ngrit e famshmja ‘Shkolla e plepave’ në Durrës, një ‘kolegj’ ad interim me qëllim përgatitjen e juristëve të rinj të paskomunizmit. Në 6 muaj, të diplomuar në lëmej të tjerë të dijes do të bënin njëfarë ‘crash course’-i në jurisprudencë.

Ekspertiza amerikane, programet e trajnimit, të shkëmbimeve, misionet e instaluara pranë gjykatave dhe prokurorisë shqiptare, janë pjesë e historisë së jurisprudencës së re të Republikës përgjatë gjithë tranzicionit.

Pavarësisht gjithë këtij investimi në dije, burime njerëzore dhe ekonomike, sistemi i drejtësisë nuk ‘u amerikanizua’ kurrë. Si në një vjershë të Çajupit, gjyqtari shqiptar vazhdoi të shihej si ‘kadiu që, kur e sheh paranë/ ters e vërtit sherianë’.

Mund të thuhet se ‘eksperimenti amerikan’ në Shqipëri ka dështuar, edhe për arsye se, në vitin ’92, Shqipëria nuk ishte një vend i dalë nga ‘epopeja e luftës’ si Koreja e jugut dhe Japonia, për shembull, por nga mbijetesa psikologjike dhe e ndergjegjes, njëfarë ‘murtaje e shpirtit’ që është komunizmi. I thyer në 45 vite të gjata depersonalizim, shqiptari e përqafoi të huajën nëpërmjet syprinës së gjërave materiale nën moton ‘Tu vuò fà l’americano’. Vetëm për të thënë se kishte ndryshuar.

Por, ky ndryshim i jashtëm dhe material është vetëm kamuflazhi ynë për ‘thyerjen e brendshme’.

Amerikanët kësaj radhe mund të jenë duke na ‘ndëshkuar’ me një riciklim të ‘Plepa 2’. Nëse në fillim e nisën, me të drejtë, me idenë e spastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e diktaturës, kësaj radhe mund të jenë duke rikthyer të njëjtin brand, por me kamuflazh dhe refrenin ironik ‘Tu vuò fà l’americano’.

Amerikanët e kanë një naivitet, gjenuin, kur vjen puna te implementimi i një ideje: ata i besojnë idealit të tyre, të cilin duan ta shtyjnë përpara pa ia matur apo njohur marzhin e gabimit (a nuk është i tillë lejtmotivi i çdo filmi hollivudian?).

Me gabimin prezantohen më vonë.

Nganjëherë kur është tepër vonë.

Kur territoret e gabimi nuk i mbulon dot asnjë drejtësi.