Analisti amerikan: Afrimi i Ramës me Erdoganin po dëmton integrimin e Shqipërisë

Analisti i njohur amerikan, David Phillips, në një editorial për Politiko.al kërkon ngritjen e një komisioni hetimor ndërkombëtar për të zbuluar ndikimin e shtetit turk në krijimin e “Air Albania”, linja ajrore e promovuar gjerësisht nga kryeministri Edi Rama. Phillips dyshon se në këtë rast kemi të bëjmë me një aferë korrupsioni të pastër, ku i përfshirë edhe vetë shefi i qeverisë, Edi Rama.

“Një hetim i pavarur, i drejtuar nga shqiptarët, duhet të bëhet për ndikimin e Turqisë në Shqipëri. Përtej vendimmarrjes për krijimin e memorialit, hetimi duhet të konsiderojë korrupsionin e mundshëm që lidhet me aeroportin e Vlorës dhe krijimin e linjave ajrore shqiptare, të cilat u financuan nga turqit. Parlamenti normalisht do të shërbente si organ hetimor. Sidoqoftë, partia e Ramës kontrollon parlamentin, duke e bërë atë një hetues të paaftë dhe të pjesshëm. Kërkohet një mekanizëm tjetër”, këmbëngul analisti.

Pasi e cilëson Edi Ramën si një “qenush të Erdoganit”, ai thotë se afrimi me Ankaranë zbeh shpresat e euro-atlantike të vendit. Me këtë rast, ka një thirrje edhe për qytetarët shqiptarë, duke iu kërkuar të mbrojnë sovranitetin e vendit.

“Kandidatura e Shqipërisë për anëtarësim në BE do të rishikohet në tetor. Pse Rama është aq shumë i lidhur me Turqinë, kërkesa e së cilës për anëtarësim në BE është pezulluar mbi Turqinë pas rekordeve drakoniane të të drejtave të njeriut të Ankarasë? Çfarë kërkon Shqipëria, integrim më të madh euro-atlantik apo lidhje me Turqinë? Dy opsionet janë reciprokisht ekskluzive. Rama vepron si qenushi i Erdoganit. Dorëzimi i tij para Erdoganit është një siklet për kombin shqiptar”, deklaron analisti amerikan për Politiko.

Ngritja e monumentit kushtuar viktimave të grushtit të shtetit ka hapur një debat të ri lidhur me ndikimin e Turqisë në Shqipëri. I vetmi që nuk ka reaguar për këtë zhvillim është kryeministri Edi Rama.