Flash News

KRYESORE

Analisti rebelohet me deklaratën e Ramës për president të përbashkët: Goditje e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës

Analisti rebelohet me deklaratën e Ramës për president të

Deklarata që Kryeministrit Edi Rama bëri në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës për një president të përbashkët mes dy vendeve si simbol të unitetit kombëtar dhe jo vetëm ambasada të përbashkëta ka hasur në kundërshtitë e para në Kosovë.

Kështu, për analistin Enver Robelli një post i tillë do t’a limitonte sovranitetin e Kosovës, ndërsa akuzon Edi Ramën se me këtë deklaratë keqpërdori mikpritjejen që i rezervuan shqiptarët matanë kufirit.

 “Ai erdhi në Kosovë si mysafir, por u soll si një njeri që e humb kontrollin nga pijet e banketit festiv dhe dëshiron të rrëzojë tavolinën. Në një datë me simbolikë të fuqishme kur shënohet 10-vjetori i pavarësisë, ai në të vërtetë e vë në dyshim jetëgjatësinë e Republikës së Kosovës duke propozuar «president të përbashkët». Një post i tillë domethënë limitim i sovranitetit edhe ashtu të rrezikuar të Kosovës nga Serbia. Hedhja në ajër e Kosovës së pavarur domethënë: ndarje territoriale dhe zhvendosje e një numri të caktuar të popullsisë. Pastaj «krahina e mbetur e Kosovës» mund të bashkohet me kë të duan, por vetëm si e nënshtruar dhe e dështuar si shtet. Sjellja e Edi Ramës është keqpërdorim mikpritjeje dhe goditje e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës. Edhe kësaj radhe ai, mes rreshtash, goditi lëvizjen për pavarësi të Ibrahim Rugovës, duke thënë se kur «konformizmi e rënia e idealeve dukeshin si fat i pashmangshëm» nga «gjiri i popullit dolën heronjtë»”, shkruan Robelli në editorialin e tij në “Dialogplus”.

Nga ana tjetër, Robelli analizon se ambicia e Ramës për të rishkruar historinë e Kosovës mund të marrë përmasa edhe më të gjera nëse shqiptarët e Kosovës dhe politikanët e saj pranojnë t’i nënshtrohen kërkesave të Ramës.

“Kjo është edhe një tendencë për të shkelur njërën lëvizje dhe për të favorizuar tjetrën. Por Kosova nuk do të ishte çliruar pa njërën prej këtyre lëvizjeve. Ambicia e Ramës për të rishkruar historinë e Kosovës mund të marrë përmasa edhe më të gjera nëse shqiptarët e Kosovës dhe politikanët e saj pranojnë rolin e «lopëve». Dhe këtë rol disa prej tyre e kanë pranuar, vetëm me kusht që të mos i pengojë askush në misionin e shenjtë të mbushjes së xhepave. Në këtë rrugë Edi Rama nuk i pengon. Madje mund t’i inkurajojë dhe japë ide”, sqaron Robelli.

Të fundit