Analiza/ Arsyet që çuan Xhafajn në dorëheqje, çfarë thuhet korridoreve politike e mediatike për këtë lëvizje

Edi Rama njoftoi mëngjesin e së shtunës se kishte pranuar vullnetin e Fatmir Xhafajt për t’u dorëhequr nga posti i Ministrit të Brendshëm. Largimi, që pak kush e priste, erdhi në momentin, kur policia ishte ende në fazën e mbledhjes së lavdërimeve për aksionin që çoi në goditjen e katër grupeve kriminale.

Që pas lajmit të dorëheqjes së Xhafajt, publikisht dhe nën zë, janë ngritur një sërë hipotezash sa i takon kësaj lëvizjeje, por që ende sot kanë ngelur në nivel të tillë pa u verifikuar.

Politiko.al po bën një renditje të atyre që janë thënë publikisht por edhe të atyre që qarkullojnë në korridoret politike e mediatike sa i takon dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.

Vangjush Dako

Emri i kryebashkiakut të Durrësit ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit ku u publikuan disa përgjime, të cilat vetë Dako i pranoi, ku kryebashkiaku komunikonte me një prej të arrestuarve të të ashtuquajturit grupi Avdylëve. Partia Demokratike, gjatë kësaj jave që po mbyllet, tha se për kryebashkiakun e Durrësit, është lëshuar fletë arresti por ajo nuk ishte zbatuar. Në media u raportua se përplasja Rama-Xhafaj ishte pikërisht për këtë çështje.

Saimir Tahiri

Lajmi për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt u bë i ditur nga kryeministri Rama dy orë para se Saimir Tahiri të shfaqej para mediave, në një konferencë për media të njoftuar të premten. Dalja e Tahirit, kur dihen raportet mes dy ish-ministrave të Brendshëm të PS-së, bëri që të ngriheshin dyshime për atë se çfarë do të deklaronte Tahiri, teksa njerëz të afër të tij u kujdesën që të përhapej në media se të shtunën do të dëgjonin ‘bomba’. Dyshimet u shtuan edhe më shumë pasi ish-ministri njoftoi anulimin e konferencës pas lajmit për dorëheqjen e Xhafajt.

Vëllai

Në kulmin e debatit sa i takon vëllait, (pak muaj më parë, pas publikimit të audio-përgjimit të Babales) në media u raportua se Xhafaj i kishte paraqitur dorëheqjen Ramës. Por një gjë e tillë u mohua dhe Xhafaj vijoi të qëndronte në detyrë. Largimi i djeshëm i tij, vjen vetëm një ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi shpalljen e moskopetencës sa i takon audio-përgjimit që implikonte Agron Xhafajn.

Klanet në PS

Një tezë e re që qarkullon në korridoret politike dhe mediatike sa i takon dorëheqjes së Xhafajt është edhe ajo që e lidh me përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste. Sipas artikuluesve të kësaj teze, presioni i kundërshtarëve të Xhafajt brenda partisë, veçanërisht pas arrestimit të dy ish-deputetëve, solli largimin e tij nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme.

E vonuar

Dorëheqja e djeshme e Fatmir Xhafajt, rezultoi e papritur për shkak se të paktën publikisht nuk kishte arsye. Por në këtë pikë, thuhet se Xhafaj e kishte menduar më herët të dorëheqjen por duket se priste momentin dhe vendosi ta bënte këtë gjë pas operacionit ‘Vol vo 4’ që çoi në burg 27 persona duke goditur katër grupe kriminale, për t’u larguar si triumfator./Politiko.al