Flash News

KRYESORE

Analizë-Politiko: Cikël i ri te Bayern, 8 gjermanë në formacionin e së ardhmes

Uli Hoeness po lë një trashëgimi të madhe te Bayern. Ish-presidenti i klubit bavarez ka menaxhuar të gjitha gjërat mjaft mirë dhe jo vetëm ekonomikisht, por edhe sportivisht.

Po t'i hedhësh një sy formacionit të rekordmenëve të Bundesligës, vihet re qartë prirja e kahershme e Papa Ulit për të ndërtuar një skuadër sa më gjermane që është e mundur. Pra, në shërbim të kombëtares gjermane. Kjo solli dhe suksesin e "Pancerave" në Botërorin 2014, sepse luanin me lojtarë si Neuer, Lahm, Boateng, Schweinsteiger, Kroos dhe Muller.

Një gjë e tillë pritet të ndodhë sidomos në sezonin e ri, kur Bayern ka llogaritur disa blerje efikase. Nuk është sekret fakti që Leroy Sane ka një marrëveshje me bavarezët dhe do të transferohet për 90-100 mln euro në Mynih. Blerja tjetër e pritshme është ajo e mesfushorit Kai Havertz nga Leverkusen, kjo me kosto të ngjashme me atë të anësorit që luan te Manchester City.

Duke shtuar edhe Serge Gnabry, treshja ofensive e Bayern-it do të bëhej krejt gjermane. Madje, edhe sulmi, sepse lojtari tjetër që përflitet se po kërkon Bayern është Timo Werner nga Leipzig, gjithashtu gjerman. (Coutinho nuk po ia del në Mynih dhe me siguri do të rikthehet te Barcelona.) Rikthimi i Joshua Kimmich në mesfushë, aty ku ai u dallua në fillim nga Bayern para se të blihej, po krijon një dyshe gjermane para mbrojtjes, aty ku pozicionohet Leon Goretzka. Këtë dyshe po promovon edhe trajneri Joachim Low në kombëtaren gjermane.

Portieri Alexander Nübel në verë do të largohet nga Schalke 04 me parametra zero, për t'u transferuar te Bayern. Ai shihet si pasuesi i gjigantit Manuel Neuer dhe i bie që do të përsëritë historinë e këtij të fundit me lëvizjen Gelsenkirchen-Bavari. Duke shtuar edhe mbrojtësin Niklas Süle, konglomerati gjerman në formacionin bavarez është më se i dukshëm. Gjithsej, Bayern do të ketë 8 gjermanë në 11-shin e së ardhmes (duke përfshirë këtu më të rinjtë e skuadrës).

Detaji i fundit, por jo më pak i rëndësishëm: shihni pak moshën e lojtarëve. Bayern ka këmbë të freskëta dhe talente të motivuar. Alphonso Davies, Lucas Hernandez, Benjamin Pavard, Kingsley Coman, Mickaël Cuisance dhe Jann-Fiete Arp janë emra të tjerë në listë, gati për të nisur një cikël të ri.

Të fundit