Anëtarësimi në NATO, Bushati mesazh për Maqedoninë e Veriut: Ju mbështesim si shtet multietnik

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka reaguar pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Këtë vendim, që i hap rrugë anëtarësimit përfundimtar, Bushati e konsideron dëshmi të triumfit të vlerave euro-atlantike në rajonin tonë.

Bushati përgëzon faktorin politik shqiptar në shtetin fqinj që ka punuar vijimësisht për anëtarësimin në NATO dhe kujton se Shqipëria mbështet një Maqedoni multietnike dhe demokratike.

“Firmosja e Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është dëshmi e triumfit të vlerave euro-atlantike në rajonin tonë. Vizioni dhe përkushtimi i dëshmuar përmes dialogut të dy fqinjëve tanë për tejkalimin e mosmarrëveshjes që mbajti pezull për gati 3 dekada perspektivën e integrimit euro-atlantik ia doli të lërë pas ndasitë e së shkuarës dhe të projektojë një të ardhme më të sigurtë e begatë për rajonin, Europën dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përgëzime të gjithë atyre që punuan për të bërë të mundur këtë arritje historike, veçanërisht faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që vijimësisht ka punuar për ankorimin në rrjedhat euro-atlantike. Shqipëria mbështet gjithnjë një Maqedoni multietnike, demokratike, të kyçur në NATO dhe BE”, shprehet Bushati.

Maqedonia e Veriut nënshkruan protokollin e anëtarësimit në NATO, reagon Meta: Vendimi i duhur në kohën e duhur!