Ankesa e mjekut për maskat, Rama: Jam informuar dhe për jetën private. Në vijim do ndalojmë transportin urban

Kryeministri Rama reagoi në një deklaratë publike në lidhje me publikimin e mjekut të Urgjencës Ilir Allkja, që pretendonte se nuk kishte patur mjete mbrojtëse gjatë vizitës së pacientëve. Për këtë arsye, mjeku Allkja shprehej në një video se ishte vetë-karantinuar. Rama tha se nuk kishte marrë informacion për mjekun, duke theksuar, sipas tij, që nuk ka mungesë të veshjeve special për personelin. “Natyra e punës në këto kushte këtu ka ndryshuar. Këtu jemi të rrethuar nga kompjutera nga të gjitha anët. Sapo dëgjova dëshminë e mjekut në fjalë, u intersova dhe mora një foto të publikuar në faqen e tij nga vetë ai. Nuk ka asnjë mungesë për veshje speciale të personelit”, tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se ishte informuar dhe për jetën private të mjekut, duke publikuar një foto, që sipas Ramës mjeku ishte mbështetës i Partisë Demokratike. “Mora dhe informacion për jetën private të mjekut. Është i lirë të thotë “Rama ik”, në jetën e tij private. Ne nuk kemi pritur të na e kërkojë dikush tjetër një plan, qoftë kjo dhe opozita. Ne  e kemi bër planin përpara se kjo fazë e luftës në territor të niste. Jemi të përgatitur dhe për skenarin më negative të projektuar nga OBSH”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se në kuadër të masave kundër koronavirusit, në ditët në vijim do të ndalohet dhe puna e transportit urban në Tiranë dhe Durrës. Ai theksoi se marrja e masave nuk u mor më parë pasi shkakonte dëme në jetën e njerëzve dhe ekonomi.

“Po mendojmë dhe ndalimin e transportit urban në Tiranë dhe në Durrës. Kemi eksperiencën e vendeve të tjera. Ne nuk e ndalim përhapjen e virusit, asnjë shtet nuk e ndal, por ka shumë rëndësi se si e ndërton sistemin mbrojtës. Dhe këto masa janë sistemi jonë mbrojtës. Nuk merren masat përpara sepse nuk ka asnjë vlerë, përkundrazi sjellin dëm të jashtëzakonshëm për jetën dhe për ekonominë. Marrja e masave në momentin e shpërthimit janë determinante për mënyrën se si ne do ta përballim situatën. E rëndësishmja është që rritja të jetë brenda një kurbe që ta kemi nën kontroll”, u shpreh Kryeministri.