Flash News

KRYESORE

Ankimimi për 3 ligjet e reformës, pas 22 qershorit nis shqyrtimi në Kushtetuese

Ankimimi për 3 ligjet e reformës, pas 22 qershorit nis shqyrtimi

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimimin e dy shoqatave të gjyqtarëve për tre ligje të reformës në drejtësi, pas datës 22 qershor.

Burime nga Kushtetuesja, bënë të ditur këtë të premte për ATSH-në, se palëve të interesuara, që në këtë rast është Kuvendi i Shqipërisë, i është lënë afat deri më 22 qershor që të paraqesë pretendimet rreth padisë së depozituar në Gjykatë më 1 qershor, nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve.

Pas kësaj date, trupa kushtetuese cakton dhe datën e shqyrtimit në séancë të mbyllur të ankimimit të gjyqtarëve, për të vijuar më pas me seancën e hapur.

Për herë të tretë komuniteti i gjyqtarëve padit në Kushtetuese ligjet e reformës në drejtësi, duke filluar me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur si ligji i vettingut, ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që sipas tyre bien ndesh me Kushtetutën.

Në kërkesën ankimore drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve janë kundër disa neneve të ligjit të vettingut, që parashikojnë ushtrimin e kontrolleve ndaj figures se gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga 1 janari 2012,  sa i takon lidhjeve të mundshme mes tyre dhe anëtarëve të krimit të organizuar.  Kjo, nga shoqatat e gjyqtarëve, konsiderohet në tejkalim te normave kushtetuese.

Padia në Kushtetuese e shoqatave të gjyqësorit kerkon gjithashtu shfuqizimin e disa neneve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të cilët përcaktojnë kriteret e vjetërsisë në punë dhe të vlerësimit profesional për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ligji i tretë i reformës në drejtësi, i ankimuar nga gjyqtarët është ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Padia e dy shoqatave kundërshon kriteret minimale të ngritjes në detyrë të magjistratëve që lidhen me vjetërsinë në punë në një fushë të caktuar të drejtësisë, procedurat e lëvizjes paralele, etj.

Të fundit