Flash News

KRYESORE

“Anti-rusët” e Edi Ramës; Gramoz Ruçi refuzoi të shkonte në takimin e rëndësishëm ku Moskës iu ndalua hyrja

“Anti-rusët” e Edi Ramës; Gramoz Ruçi refuzoi

Që prej ditës së djeshme në disa media shqiptare është ripublikuar një artikull i një media amerikane të quajtur “Mother Jones”, ku pretendohet për një bashkëpunim të Partisë Demokratike së Shqipërisë me dy kompani ruse që veprojnë në SHBA.

PD dhe Ambasada e Rusisë në Tiranë e hodhën poshtë këtë pretendim, ndërkohë që Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS, në konferencën për shtyp që përmbante doza anti-ruse, u shpreh se demokratët shqiptarë “janë aleatë besnikë të Kremlinit”.

Por, më 30 nëntor të 2017-ës, kolegu i Ballës, Gramoz Ruçi, i cili drejton Kuvendin e Shqipërisë, refuzoi të merrte pjesë në takimin e Organizatës së Asamblesë Parlamentare për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, i zhvilluar në Kiev.

Në këtë takim, Shqipërisë do i dorëzohej drejtimi ‘PA BSEC’ nga Ukraina, ndërkohë që aty nuk ishin ftuar përfaqësuesit e Rusisë. Moska kishte reaguar ashpër ndaj Kievit për mosdërgimin e ftesës në një organizatë ku edhe Rusia bën pjesë.

Lidhur me mungesën e Ruçit, kryeparlamentari i Ukrainës, Andry Paruby tha se kolegu i tij nuk ishte i pranishëm për shkak të arsyeve të jashtme, por pa dhënë më shumë detaje. 

“Sot, në mënyrë simbolike i kalova drejtimin e PA BSEC te kolegu im i nderuar i Parlamentit të Shqipërisë, i cili nuk merr pjesë në takim për arsye të jashtme. I uroj atij suksese në zbatimin e të gjitha qëllimeve dhe detyrimeve me të cilat përballemi”, deklaroi Paruby.

Bojkotin e Ruçit në takimin ku rusëve u ishte ndaluar hyrja, çka jepte mesazhe të kundërta nga orientimi i politikës së jashtme shqiptare, mazhoranca e majtë që drejton Shqipërinë e kompensoi duke dërguar në Kiev ministrat Ditmir Bushati dhe Pandeli Majko, por kësaj here për takime bilaterale.

Që prej vitit 2014, një pjesë e konsiderueshme e Ukrainës, përfshi Krimenë, është pushtuar nga Rusia dhe nga mercenarët rusë.

Të fundit