Flash News
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
(anti)KÇK. Sepse çdo gjë tjetër e ka kapur inercia
Edi Rama i dytë e ka shterruar rezervuarin e shpresës që ofronte si Edi Rama i parë dhe, çdo përpjekje për ta ringritur veten përmes platformave (me formë por pa thelb), që lidhen me të shkuarën, si kjo e anti-KÇK, është politikisht e pafrytshme...
Alfred Lela
Takimi i paradites së të hënës i kryeministrit Rama me administratën shtetërore, të stilizuar prej tij si 'Platforma anti-KÇK', në gjuhën e komunikimit politik quhet pseudo-ngjarje. Pra një inskenim me qëllim të emëtimit të një mesazhi; në të çdo gjë është e parapërgatitur, një parafabrikat i veshur me të paqena.
Shpjegimi i pseudo-ngjarjes, në këtë rast, nuk është aq i rëndësishëm sa pseja e saj. Pse Rama, mu në finale të reformës në drejtësi, mu në fund të një viti të mbrapshtë politiko-shoqëror, mu në gjysmë të mandatit të dytë si kryeministër, mu në shtjellë të debatit për refuzimin e radhës së integrimit të vendit në BE, hap perden e një teatraliteti me titull 'anti-KÇK'?
Paradoksalisht, kjo përpjekje e kryeministrit për të krijuar ngjarje pozitive, në rastin kur shtjella e të këqijave është e rrëmbyshme (siç e pranoi vetë gjatë prezantimit), e kthen edhe atë në një ushtar të KÇK. Edhe vetë ai, i mbetur në zbaticën e krijuar nga ngjarjet jo pozitive, është në pozicionin grabitqar të 'Kap ça t'kapësh'.
Në të njëjtën kohë prezumimi i këtij pozicioni përkthen edhe gjendjen e pushtetit: nuk ka më asgjë për të kapur. Jo në kuptimin e të mirave apo teknologjive materiale, të cilat janë të pashtershme në kohë pushteti, por në një terminologji dhe aktualitet politik, elektoral, atë që mund të quhet përmbledhtazi si 'politologjia e shpresës'.
Edi Rama i dytë e ka shterruar rezervuarin e shpresës që ofronte si Edi Rama i parë dhe, çdo përpjekje për ta ringritur veten përmes platformave (me formë por pa thelb), që lidhen me të shkuarën, si kjo e anti-KÇK, është politikisht e pafrytshme.
Nuk është ky rasti vetëm në një rast: nëse z. Rama është duke u munduar të shpikë të tretën e vetes (atë që shumë e konsiderojnë si e vërteta), pra, të ngrejë një platformë anti-KÇK që duket si diçka që lidhet me ngjarjet e aktualitetit, por sytë t'i ketë nga fushata e së ardhmes (në këtë rast e afërt) që i jep garën dhe mundësinë e një mandati të tretë.
A e ka hapur sot fushatën për zgjedhjet e ardhshme (të parakohëshme) kryeministri? Në opozitë do të gëzoheshin nëse do të ishte kështu, duke qenë se një lëvizje e tillë do të propagandohej si dështim, dorëzim, humbje etj., të kryeministrit. Ndër dy këto qëndrime ama, Rama që shkon herët në zgjedhje, dhe opozita që ia quan dorëzim këtë vendim, vetëm njëri është i ri dhe i ndryshëm. Pikërisht fakti që Rama bëhet i pari kryeministër që thërret zgjedhje të parakohëshme, që përdor një instrument të demokracisë për të tejkaluar krizën, që reflekton. Qëndrimi opozitar, i britmës së fitores, edhe për gjëra që janë nën dyshimin e një cilësie të tillë, është i vjetër, i stërpërdorur, jo krijues.
Siç janë gjërat, njerëzit, mes dy inercive, zgjedhin asnjërën.