Flash News

KRYESORE

Anulohet ndeshja mes Izraelit dhe Argjentinës në Jeruzalem. Higuain: Bënë gjënë e duhur

Anulohet ndeshja mes Izraelit dhe Argjentinës në Jeruzalem. Higuain:

Ndeshja miqësore mes kombëtares së futbollit të Izraelit dhe Argjentinës, e cila duhej të luhej në Jeruzalem, është anuluar. Nga Federata e Futbollit të Argjentinës të mërkurën theksuan se kanë lajmëruar homologët e tyre nga federata izraelite për këtë vendim.

Ndeshja, që ishte caktuar për 9 qershor duhej të luhej në stadiumin “Teddy Kollek”, por shkaktoi reagime shumë negative, veçmas tek palestinezët. Po ashtu, u paralajmërua bojkotimi i organizatave të ndryshme.

Sipas informacioneve të mediave argjentinase, trajneri Jorge Sampaoli që në fillim ishte kundër luajtjes së ndeshjes me Izraelin, ndërsa as lojtarët nuk ishin aq të interesuar për këtë duel.

Gonzalo Higuain, sulmuesi i Juventusit në një deklaratë për ESPN, konfirmoi se ndeshja në Jeruzalem është anuluar. “Përfundimisht bënë gjënë e duhur”, tha Higuain, raporton ‘AA’.

Palestinezët, të cilët pohonin se luajtja e ndeshjes do të përforconte përpjekjet e Izraelit që të legalizojnë pushtimin e Jeruzalemit, mbajtën protesta në shumë vende, madje edhe në Barcelonë ku argjentinasit përgatiteshin për Kampionatin Botëror.

Ndeshja me Izraelin duhej të ishte një provë e përgjithshme për Argjentinën përpara Kampionatit Botëror në Rusi, që do të mbahet nga 14 qershor deri më 15 korrik.

Të fundit