Anuloi misionin e vëzhgimit në 30 qershor, Meta takim me sekretarin e Kongresit të Autoriteteve Vendore: Demokracia është vendore

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim gjatë vizitës së tij në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Andreas Kiefer.

Gjatë takimit, presidenti thotë se mes tyre janë shkëmbyer mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit.

“Takim konstruktiv në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, z.Andreas Kiefer.

Shkëmbyem mendime të vlefshme për mbështetjen që Kongresi mund të japë në kapërcimin e krizës së qeverisjes vendore në Shqipëri pas 30 qershorit, në përmbushjen e standardeve demokratike që vendet anëtare të këtij institucioni, sikundër është vendi ynë, janë të obliguar të respektojnë dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë nga ana e Kongresit në këto drejtime.

U dakordësuam për domosdoshmërinë e një misioni të Kongresit në Shqipëri në një kohë sa më të afërt. Demokracia në radhë të parë është vendore”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Kujtojmë, që Kongresi i Autoriteteve Vendore, që është zëri i rajoneve dhe bashkive në Këshillin e Evropës, anuloi misionin e vëzhgimit në Shqipëri për 30 qershorin.