Flash News

KRYESORE

Anuloi vizitën në Shkodër, Voltana Ademi: Rama përherë është ndjerë i tepërt në qytetin e antikomunizmit

Anuloi vizitën në Shkodër, Voltana Ademi: Rama përherë

Kryeministri Edi Rama ka anuluar vizitën e tij në kryeqendrën e veriut, në Shkodër,  ku do të mbahej dhe Asambleja  e madhe. Kujtojmë se dje ishte Partia Demokratike e këtij qarku që deklaroi protestë dhe se nuk do e lejonin kreun e qeverisë të futej në qytet.

Ish-deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, përmes një statusi në Facebook, bëri me dije anulimin e vizitës së Ramës:

"Shkodra në shtetrrethim! Policia kudo sot!

Rrugët janë bllokuar, sepse vjen PARIA nga Tirana. Vijnë ministrat e ish ministrat. Vijnë ato që deri tani nuk e dinin nga i bie Shkodra. Vijnë ato të cilët nuk sollën asnjë investim në Shkodër. Edi Rama anuloi vizitën në qytetin tonë sepse e dinte pritjen që do i bënim. Solli argatët e tij. Solli kukullat e tij pa zë, pa gojë e pa mend. Shkodra është e djathtë! Shkodranët janë demokratë. Nga Shkodra vjen largimi i Ramës e diktaturës."

Më pas ka reaguar dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila shkruan në profilin e saj në Facebook se Rama është ndjerë përherë i tepërt në qytetin e antikomunizmit. "Rama e ka humbur Shkodrën", thekson Ademi.

Statusi i plotë i Voltana Ademit:

Të dërguarit e Ramës zgjodhën Shkodrën për ti lëshuar mesazhe opozitës pasi e dinë se në Shkodër nuk mund të përballen drejtpërdrejtë me qytetarët pasi ato do ti jepnin përgjgjen më të mirë se përse Rama është i padëshiruar në këtë qytet.

Ato mund të bashkohen vetëm me njeri-tjetrin duke bërë demagogji politike, dhe sulme ndaj opozitës por nuk mund të përballen me banorët e këtij qyteti të braktisur nga qeveria.

Rama e ka humbur Shkodrën, jo vetëm në zgjedhjet e 2015-ës, por zhgënjimi ka ardhur duke u thelluar më shumë ndaj tij, pasi në 6 vite nuk është kujtuar për Shkodrën duke i sjellë këtij qyteti vetëm papunësi, korrupsion, mungesë shërbimi, mashtrime dhe bandat e krimit.

Deputetët që vijnë rrallëherë e vetëm në fundjavë në Shkodër mund ta konfirmojnë këtë fare mirë, duke pyetur shkodranët, për shëndetësinë, arsimin, ndihmën ekonomike, energjinë elektrike, biznesin dhe gjobëveniet e tatimeve, e veçanërisht ato të krimit.

Të marrin guximin një ditë të vetme Rama dhe grupi i tij, që ngushtohet dita ditës, të bëjnë një xhiro siç bëj unë në rrugët e Shkodrës e të fshatrave te saj, dhe do ta kuptojë se pse është i paftuar në Shkodër.

Shkodranët kanë ditur përherë t’i tregojnë vendin Ramës dhe etërve të tyre politikë dhe kurrë, asnjë shfaqje në ambiente të mbyllura në makina luksoze, nuk do të impresionojë shkodranët.

Ti nuk erdhe sot në Shkodër dhe jam e bindur se do ia kursesh vetes ardhjet e tua në këtë qytet, pasi përherë je ndjerë i tepërt në qytetin e antikomunizmit i cili ta ka demostruar me votë dhe përçmim keqqeverisjen tënde!

Të fundit