Apeli i Kryemadhit: SPAK të mos përdoret si kamzhik për luftën politike

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në  një intervistë për “News 24”, deklaron institucionet e reja të drejtësisë duhet të funksionojnë në bazë të ligjit dhe jo interesave politike të mazhorancës. Kryemadhi ndalet veçanërisht te SPAK-u, strukturë që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta politike.

“Çfarë ka në dorë për ta ngritur SPAK-un opozita, sepse atë e ngre Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo opozita. Kë do votojë opozita, prokurorët? KLP ka një vit që është ngritur, që vjet në shkurt dhe akoma nuk ka zgjedhur Prokrurorin e Përgjithshëm, sepse kanë luftë midis Ëngjëll Agacit, Ulsi Manjës, Fatmir Xhafës se kush do të zgjidhet Prokuror i Përgjithshëm. Më thoni një njeri që ka në KLP që propozon opozitaqë do të zgjedh edhe Prokurorin e Përgjithshëm edhe SPAK-un?”, pyet ajo.

Sipas saj, opozita është anashkaluar nga të gjitha strukturat e reja të drejtësisë, duke përmendur organet e vetingut. “SPAK-un dhe Byronë e Hetimit e zgjedh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ky është mashtrim dhe një demagogji që bëhet. Më thoni një njeri në grupin e Vetting-ut që ka opozita? Asnjë! Më thoni një prokuror ose një gjyqtar në 15 vite jetë të LSI-së, që është propozuar nga ne në të gjitha proceset e zgjedhjeve që kanë qenë nga Parlamenti. Zero, asnjë propozim, sepse kemi bindje. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur. Vetëm një sistem drejtësie i pavarur ndërton një shtet të fortë. Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, edhe pse ne të gjithë njihemi me njëri-tjetrin, ne na duhet një sistem i pavarur”, sqaron Kryemadhi.

Apeli i fundit është që SPAK-u të mos përdoret politikisht nga qeveria kundër opozitës. Gjyqi më i mirë, shprehet Kryemadhi, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, jo gjyqet publike, mediatike. “Të jeni të bindur që çdo politikan, të paktën flas për LSI, që ka pasur probleme me drejtësinë, nuk do të pengohet nga LSI por përkundrazi do të inkurajohet që të përballet me drejtësinë, por SPAK-u nuk mund të përdoret kurrë si kamxhik për luftë politike. Sepse sot luftën politike më të madhe e bëjnë qytetarët shqiptarë. Janë ata që të gjykojnë me votë dhe ajo është drejtësia më e madhe. Çdo drejtësi politike do të bëjë hero çdo njeri që do të gjykohet për politikë dhe i vetmi gjykim sot janë qytetarët me votë. Kush do drejtësinë e vërtetë, të shkojmë në zgjedhje, të dalim të gjithë në mënyrë të barabartë, ti japim shansin qytetarëve, ai është gjyqi më i mirë për çdo politikan shqiptar. Gjyqi më i mirë për politikanët shqiptarë sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pastaj gjyq politik, gjyq mediatik, gjyq të pandershëm ka sa të duash. Në fund të fundit gjykimin tonë përfundimtar nuk na ë bëjnë as politika, as ambasadat, as gjyqtarët, as prokurorët, por Zoti lart”, përfundon Kryemadhi.