Flash News

KRYESORE

Arben Ristani/ 'Heshtja' e PD për Janullatosin dhe 'misteri' i protestave të janarit. Një 'Çadra 2'?  

Arben Ristani/ 'Heshtja' e PD për Janullatosin dhe

Tri pyetje nga Politiko për Arben Ristanin

 

Politiko.al

1- Pse duket sikur është përjashtuar mundësia që PD, zgjedhjen e Kryeprokurores ta çojë në Kushtetuese?

Së pari, më duhet të theksoj se procedura e ndjekur për këtë rast ishte antikushtetuese, dhe nuk jep asnjë garanci për një drejtësi të pakapur politikisht. Ky, në fakt, është rast i përsëritur i rrugës antikushtetuese që mazhoranca parlamentare nisi me ligjet e Reformës në drejtësi, menjëherë pas miratimit unanim të Kushtetutës.

Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese është, sigurisht, një rrugë afër mendjes për zgjidhjen e situatës.  Nuk mund ta fsheh se ka skepticizëm për imunitetin e Gjykatës Kushtetuese nga kapja politike. Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhje ligjore në një sistem të kapur nga krimi dhe paratë e pamasa të drogës.

Personalisht, jam në favor të ndjekjes së zgjidhjeve ligjore, sado pak shpresë të ketë mbetur për drejtësi. Megjithatë, do shkohet apo jo në Gjykatë Kushtetuese për këtë çështje është ende në diskutim dhe e pa vendosur.

 

2- Pse PD nuk është shprehur zyrtarisht për nënshtetësinë e Kryepeshkopit Janullatos?

Marrja e shtetësisë shqiptare është e rregulluar me ligj, ku përcaktohen kriteret, procedurat dhe institucionet me impakt në këtë proces. Nuk shoh asnjë interes politik, shoqëror, apo ligjor, që të shtyjë partitë politike për t'u marrë me këtë çështje. Jemi vend laik, për më tepër, dhe në rast se jemi brenda ligjit, shtetësinë shqiptare mund ta marrë çdo i krishterë, katolik, mysliman etj. Sigurisht, edhe pavarësisht hierarkisë në bashkësinë përkatëse.

3- A mund të sjellë janari apo shkurti një 'Çadra 2'?

E sigurt është që viti që vjen do të fillojë me protesta nga opozita; protesta të cilat do marrin formën e “Çadrës 1”, format e tjera tradicionale të protestës, apo forma edhe më inovative, kjo nuk ka shumë rëndësi, por të gjitha janë ende në diskutim.

Me rëndësi është të theksojmë se zgjedhjet nuk po japin zgjidhje, lufta parlamentare gjithashtu, betejat institucionale ligjore, aq më pak. E gjitha kjo për shkak se në pushtet kemi një bandë kriminale e cila nuk operon me të njëjtat mjete.

Në këto kushte, protesta sa më e fuqishme të jetë e mundur, është mundësi për të gjetur zgjidhje.

Politiko.al

 

Të fundit