Flash News

KRYESORE

Aretha Franklin/ Këngëtarja e Zotit

Aretha Franklin/ Këngëtarja e Zotit

The Economist

Ndonjëherë, në koncertet e saj, të cilat e mrekulluan Amerikën për 50 vjet, Aretha Franklin i hapte krahët deri në fund. Ndonjëherë e bënte këtë për të çliruar supet e forta nga një fustan i bardhë apo i pupëlt, ose për të hedhur tej pallton e saj të gjatë me pellush, si çdo diva (megjithëse ajo ishte diva e fundit), e cila deri në fund të karrierës kishte fituar 18 Grammy dhe kish shitur 75 milion albume. Ndonjëherë e bënte për të përqafuar Amerikën, të gjitha ngjyrat, si në rastin kur këndoi "Precious Lord" në funeralin e Martin Luther King, apo kur këndoi variantin e saj të ngazëllyer të "My Country 'tis of Thee", me një kapelë aq madhështore, gjatë inaugurimit të  Barack Obama-s. Apo, ndoshta, ata krahë vetëm sa treguan se si zëri i saj, pëshpërima apo kuja e lartë dhe thellësia mahnitëse e tij, dukej se kapërcente çdo kufizim që njerëzit mund të imagjinonin.

Krahët e hapur sugjerojnë dashuri, por më shpesh frustrimin e çdo gruaje të zakonshme, e zezë apo e bardhë. Për çdo burrë mendje-mprehtë për të cilin ajo ëndërronte, Turns me right on when i hear him say/Hey baby let’s get away, (Më eksiton sakaq kur e dëgjoj të thotë/ hej, vogëlushe, eja të marrim arratinë), do të ishin dhjetë të tjerë që do ta zhgënjenin You’re a no-good heartbreaker/You’re a liar and you’re a cheat/And I don’t know why/I let you do these things to me. (ti je një zemërthyes i poshtër/ ti je një gënjeshtar dhe një i pabesë/ dhe nuk e di pse/ të lejoj të sillesh kështu me mua). Ata ia pështjelluan mendjen, siç pohoi me tërbim në filmin Blues Brothers në vitin 1980, duke i përplasur pëllëmbët në kraharorin idiot të burrit: Just think/Think about what you’re tryin’ to do to me (Thjesht mendoje / mendo për atë që po përpiqesh të më bësh. Në fund të fundit nuk duhet ndonjë IQ e lartë. Burrat në përgjithësi nuk i dhanë atë që donte,  just a little respect when you get home…R-E-S-P-E-C-T/Find out what it means to me. (Vetëm pak respekt kur shkon në shtëpi ... RESPEKT / Zbulo se çfarë do të thotë për mua). Kjo, kënga e saj më e famshme, nuk kishte të bënte vetëm me një grua të shpërfilllur dhe me një burrë shpërfillës; ajo u bë himni i çdo lëvizjeje çlirimtare, për shkak të stilit vullkanik. Ishte edhe himni i saj personal. Ajo dëshironte të quhej "Ms Franklin", të paguhej cash dhe të kishte kudo ajër të kondicionuar. All I’m askin’, honey. (Vetëm kaq po kërkoj, shpirt).  

 

Ata krahë të hapur treguan gjithashtu se si i gjithë trupi i saj këndonte. Kur i binte pianos dhe këndonte, ajo e bënte me stomak, si dhe me zemër dhe kokë. Si fëmijë 10 vjeçar, e kishte kuptuar si ta fshihte drojën e saj kronike prapa instrumentit, ndërsa këndonte “Jesus be a Fence Around Me" me zërin e një engjëlli ose të një gruaje të rritur. Kjo ishte mosha kur vendosi të bëhej këngëtare, kur pa Clara Ward-in, këngëtaren e madhe të gospelit që hodhi kapelen në ajër teksa performonte në kishë. Një gjest e mori vendimin; ajo do të bënte të njëjtën gjë. Disa thanë se babai i saj, pastori me famë kombëtare i Bethel Baptist Church në Detroit, e detyroi për këtë zgjedhje, por nuk ishte kështu. Bota muzikore e kohës, Smokey Robinson, Mahalia Jackson, Lionel Hampton, Marvin Gaye, bluzi dhe xhazi, por dhe gospeli, kaluan nëpër shtëpinë e tyre. Muzika ia hapi shtigjet, e shtegtoi në një vend tjetër, dhe ishte ajo, jo i ati, që shkoi në New York për të kërkuar lidhje në botën e muzikës, dhe që u tha producentëve të mundshëm, hapur fare "Unë dua hite".

Mbulimi i plagëve

Për një farë kohe ajo këndoi pothuajse gjithçka, por nuk i eci. Ajo duhej të ishte dëshmitare e asaj që kishte kaluar, përfshirë edhe të ëmën që iku nga shtëpia kur ishte gjashtë; dy fëmijë nga dy burra të ndryshëm para se të mbushte 15; dhe, në moshën 19 vjeçare, martesa me një kodosh nga Detroiti, më vonë menaxheri i saj, i cili e rrihte paq. Dhimbja dhe fama u rritën së bashku. Dekada e artë e hiteve, nxitur nga kontrata e saj me Atlantic Records dhe Jerry Wexler në vitin 1967, hijeshuar nga portreti i saj në kapakun e Time Magazine, ishte e mjerueshme në shtëpi. Por muzika soul, ashtu si gjithmonë, e lejoi ta kthente, si vuajtjen ashtu edhe tundimin seksual, në një kujë lirie. Në mes të së shenjtës dhe laikes u zhvendos para e mbrapa pa shumë mundim. Albumi i saj më i shitur "Amazing Grace" (1972), u regjistrua gjatë një shërbese kishtare 14 vjet pas albumit të saj të parë, "Songs of Faith", kur i ati ishte edhe menaxheri i saj. Në atë album, zëri i saj rinor goditi qiellin te notat e larta. Në ndërkohë jeta e saj e ashpër i kishte mësuar zërit të ngjitej butësisht.

Ishte krenare për të qenit "Mbretëresha e soul-it". Rivalët për kurorën e saj ranë. Pasi këndonte një këngë ajo bëhej e saja, dhe këtu mbyllej. Megjithatë, gjëja e fundit që donte, jashtë skenës, ishte fama. Aretha e re fshihej pas duhanit dhe alkoolit; Aretha e rritur u tërhoq në kuzhinë për të gjetur ngushëllim te pudingu me banane, duke e mbështjellë trupin e fryrë në fustane gjithnjë e më të satinta dhe të shkëlqimta. Ajo thurte me grep, dhe refuzonte të merrte avionin. Unë kam qenë shumë gjatë nëpër stuhi. Gjithçka që mendonte dhe ndjente e shfaqte në skenë. Askush nuk duhej të ngjitej në murin që kishte ndërtuar rreth vetes.

Dikush mund të shihte përmes këtij muri. Ai dinte gjëra rreth jetës së saj për të cilat të tjerët vetëm sa hamendësonin, si për shembull shkaqet e shumta të trishtimit. Ai i pa shenjat që ajo mbulonte. Kur ajo ngacmonte gazetarët, duke u thënë se nuk i kuptonte kur thoshin se këngët e saj ishin seksuale, nuk po gënjente. Interpretimi mund të ngjante sexy, por nuk bëhej fjalë për një burrë. Në muzikën e saj ajo fundosej në ‘humnerat’ e veta, ashtu siç kishte bërë kur filloi në New Bethel Baptist, duke u tundur në karrigen e saj të vogël. Kur ajo këndoi ti më bën të ndihem / vetvetja si grua , me kokën e harkuar pas me krenari, me një dorë që prekte flokët, ajo po i këndonte Zotit, ashtu si kur ajo ulëriti pasionin e saj si mëkatare e pastruar nga gjaku i Qengjit: When my soul was in the lost and found/You came along to claim it. (Kur shpirti im ishte i humbur /ti erdhe dhe the është imi). Dhe, kur ajo i hodhi krahët e saj të hapur nën dritat e skenës, nuk ishte dhe aq për të falënderuar ndjekësit që çirreshin për të, se sa për të thënë Precious Lord, take my hand. (Zot i vetëm, ma jep dorën).

 

 

Të fundit