Flash News

KRYESORE

“Armiku i popullit”, individi kundër sistemit të korruptuar politik, në emër të së ardhmes

“Armiku i popullit”,  individi kundër sistemit të

Në Kosovën e paszgjedhjeve, sikurse edhe në Shqipëri,  Teatri i Prizrenit, që mban emrin e aktorit të madh “Bekim Fehmiu”, i pagëzuar pak ditë më parë, sjell nesër, ora 20.00, premierë, një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, “Armiku i popullit” nga Henrik Ibsen.  Drama sociale e Ibsenit, përmes së cilës autori godet disa prirje të paarsyeshme të masave, si dhe natyrën hipokrite dhe të korruptuar të sistemit politik që ato përkrahin, është mjaft aktuale për kohën që po kalon Kosova. E shkruar në 1882 drama, nëpërmjet gjuhës komike të personazheve, përcjell idenë se nuk ka principe absolute mbi dijen dhe moralin, prandaj, përmes personazhit kryesor, Doktor Stokmanit (zëri i Ibsenit në dramë), ai shpall se nuk duhet të përmbahemi tek 20 vitet që kaluam, por tek vitet që kanë për të ardhur, ku e vërteta do të ndryshojë në mënyrë tronditëse prej emancipimit shoqëror.

Shfaqja vihet në skenë në regjinë e Fatos Berishës, ndërsa kasta e aktorëve është e tërë trupa e teatrit të Prizrenit me disa aktorë mysafirë. Ky version i dramës së Ibsenit është ripërpunuar nga një tjetër autor i madh, dramaturgu amerikan Arthur Miller.

“Jam i lumtur që arritëm të finalizojmë shfaqjen pas një periudhe të shkurtër por shumë intensive të punës. Nuk është vepër e lehtë për realizim, kërkon shumë punë dhe disiplinë. Është një nga veprat që kam pasur dëshirë gjithmonë t’i punoj, e do thosha edhe një nga ato vepra që më së miri reflektojnë kohën që po e jetojmë. Kohë ku në emër të interesit publik abuzohet me pushtetin dhe ku në emër të fjalës së lirë shkatërrohet jeta e individit’, u shpreh regjisori Fatos Berisha.

Drama ka mesazhe të fuqishme për shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë. Dr. Stokman është optimist dhe ka sigurinë absolute që vepra e tij do të kurorëzohet me sukses, sepse kjo do të vijë me edukatë, duke rritur një brez të ri proletarësh bujarë dhe të lirë, të cilët të formojnë bazën e shoqërisë së re që do të lindë mbi gërmadhat e së vjetrës. Sipas tij trim i mirë nuk është ai që ka shumë shokë, por ai që s’ka asnjë shok, ai që është i vetëm dhe përsëri qëndron e lufton kundër të gjithëve, gjer në fund.

“Armiku i popullit” është një ndër dramat më të fuqishme që flet për keqpërdorimin e asaj që quhet “interesi publik”.   Kjo dramë është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë nga Agim Qirjaqi në vitin 2000 dhe në Teatrin Shqiptar të Kombësive në Maqedoni.

 

Të fundit