Flash News

OP-ED

Armiq të Ramës, armiq të vetes

Armiq të Ramës, armiq të vetes

Alfred Lela

Shqipëria, me gjasë, po i kthehet një normaliteti të telekomanduar, duke lejuar një hapje të ngadaltë, të kontrolluar, gjithsesi me drojën se epidemia mund të rikthehet. Paradoksalisht, të paktën këto ditë maji, duket se jetët e shqiptarëve janë më të bezdisura nga alergjitë e stinës, shkaktuar nga poleni i luleve dhe pemëve, se sa nga Covid-19. Në qoftëse vijon kështu ky përbën një lajm të shkëlqyer.

Çka nuk shkëlqen ama, është debati publik i cili shpesh ngecet në grepat e ndryshkur të antagonizmave të vjetër, ku palët e kanë zor të dalin prej një armiqësie antike, edhe kur ju jepet një mundësi e re paqeje.

Diçka e tillë ngjan me debatin për rihapjen e universiteteve, që ka vënë edhe njëherë përballë përfaqësuesit (ose një pjesë të tyre) e universiteteve dhe qeverinë. Kritikë të njohur të Ramës, zëra publikë të fortë, e kanë quajtur të papranueshëm vendimin e Qeverisë për të rifilluar jetën në auditorët e universiteteve.

Dhe është një qëndrim logjik: sa kohë nuk ka siguri dhe sa kohë shkenca mjekësore nuk e ka shpikur një vaksinë antivirus, asnjë kujdes nuk mund të konsiderohet i tepërt. Çka bie në sy, dhe duhet shmangur te personazhet e përfshirë, është fakti se një pjesë e tyre, ose e kanë kundërshtuar ose e kanë ridikulizuar karantinën dhe masat izoluese të qeverisë. Kur Rama bën një lëvizje drejt hapjes, ai merr thuajse të njëjtën energji negative mospajtimi duke i dhënë debatit publik nota skizofrenie, dhe duke e larguar nga se si duhet të jetë: shqetësim i përbashkët, edhe pse nga kënde të ndryshme, për interesin publik.

Sigurisht, qeveria ka rekordin e vet të paradokseve, mjafton të kujtojmë zhurmën dhe kërcënimet, kur shkolla jopublike ‘Udha e Shkronjave’ mbylli dyert duke u bërë dallëndyshja e parë e masave izoluese. Ministrja e Arsimit dha urdhër për heqje të licensës, e masa të tjera që u përcollën në Facebook përmes një gjuhe force.

Zërat publikë, megjithatë, duhet të jenë më të kujdesshëm se sa ministrat dhe qeveritarët, sepse përballë një mazhorance përplot me propagandë, ata mbeten një dritare për të parë ishuj të së vërtetës. Këta zëra duhet të përmbahen nga kundërshtimi i Ramës sipas stilit ‘çfarë uji i ke dhënë gomarit’, duke 'ia tërhequr veshin' si për të ngrohtin ashtu dhe të ftohtin.

Duke luajtur rolin e armikut permanent të Ramës, ata mund të kthehen në armiq të vetes. Në raport me besueshmërinë e publikut. Por edhe të zbusin imazhin e kryeministrit sepse, sipas një shprehjeje të Ruzveltit, njeriu gjykohet edhe nga kundërshtarët.

Të fundit