Flash News

OP-ED

'Armiqtë e popullit' Kastriot Çipi dhe Robert Budina 

'Armiqtë e popullit' Kastriot Çipi dhe Robert Budina 

Gent Gaba

Rezistenca e përditshme në oborrin e Teatrit Kombëtar, duhet të ketë krijuar jo pak çudi në radhët e mazhorancës. Qysh prej shkurtit, artistët janë duke luftuar kundër projektit të Ramës për të shembur Teatrin dhe për të ngritur mbi atë truall kullat, që do t’i japin Tiranës imazhin që kryeministri dëshiron të lejë në trashëgimi shqiptarëve të dy shekujve të ardhshëm.

Pasi aktorët dhe opinioni publik u njohën me projektligjin, që kundërmon korrupsion dhe klientelizëm, protestat janë bërë të përditshme. Ora 19:00 është kthyer në një ritual për mbrojtësit stoikë të godinës. Në këtë marshim të gjatë kundër prishjes dhe kundër kohës, ajo që befason është, jo vetëm vendosmëria e organizatorëve, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por sidomos e qytetarëve, të cilët kanë gjetur në këto takime një hapësirë lirie për fjalën dhe mendimin.

Si çdo tubim, aty gëlojnë shpirtra të ndryshëm të cilat janë pasqyra e një realiteti social në fermentim, ku mosmarrëveshjet mund të jenë të shumta, si pasojë e bindjeve laramane, por, gjithsesi, nuk humbasin kurrë shënjestrën e tyre: mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Ajo që mund të thuhet nga cilido prej kundruesve besnikë të takimeve të orës 19:00, është rritja progresive e pranisë të qytetarëve pas çdo “goditjeje” të pësuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Ndërkohë që orkestruesit e shembjes ekzekutonin planin e tyre, duke përdorë çdo dobësi të kundërshtarëve, të cilët, pasi dorëzoheshin për arsye nga më të ndryshmet, përballë tandemit Rama-Veliaj, ekspozoheshin nëpër media dhe rrjete sociale si trofe të safarit artistik të hartuesve të projektligjit antikushtetues. Sigurisht, kjo ekspozitë artistësh të “balsamosur” kishte si synim zbehjen e rezistencës së atyre që vijonin betejën kundër dallavereve të mazhorancës. Megjithatë kjo është kthyer në një ‘boomerang’ të vërtetë; sa herë nga radhët e mbrojtësve largohej dikush, duke fryrë rreshtat e shembësve, numri i qytetarëve në oborrin e Teatrit rritej. Të njëjtin efekt pati edhe rezultati i turpshëm i seancës plenare të datës 5 korrik. Teorikisht, kalimi i projektligjit duhet t’i jepte një goditje fatale protestës; praktikisht ndodhi e kundërta. Të nesërmen, të pranishmit ishin edhe më të shumtë në numër.

Një “erë ndryshimi” në të protestuar që po detyron “trustin e lulelakrës”, të lëshojë ndaj rezistencës gjithë fuqinë propagandistike që pushteti ka akumuluar në këto pesë vite. Për këtë arsye, dje, inxhinierët e konsensusit qeveritar kryen një sulm të dëshpëruar kundër dy prej eksponentëve të kësaj rezistence, Kastriot Çipi dhe Robert Budina. Nëpërmjet një anatemimi të koordinuar, të pasqyruar në të gjitha mediat që tunden nga qeveria, dhe me stilin e përhershëm që synon diskreditimin e lajmësit, kur mesazhi është i pa kompromentueshëm. Mediat që nuk u tunduan kurrë nga të bërit një lajm për hashashin apo për kriminelët në Parlament dhe nëpër bashki, i prezantuan dy kineastët si hajdutë. Një dënim civil i vitit 2006, i nxjerrë nga arkivat dhe i shitur në publik si ndëshkim penal, sigurisht me porosi të “kryeredaktorit”, kishte si qëllim ndëshkimin publik të figurave që bashkë me Teatrin, po mbrojnë edhe Kushtetutën.

Pa hyrë në meritat e procesit civil të dikurshëm, që nuk ka kurrfarë lidhje me kauzën që të akuzuarit mbrojnë, paraqitja e Çipit dhe Budinës si dy “armiq të popullit” është shembulli më i qartë se rezistenca për Teatrin, nuk mund të konsiderohet thjesht një përpjekje qytetare për të ruajtur një godinë historike. Ajo është një betejë kundër një autokracie që përditë e më shumë i ngjan regjimit të vjetër komunist. Rënia e pushteteve legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit në duart e një personi të vetëm, Kryeministrit, dhe mediat që i veprojnë si “hit man”* të gardës kryeministrore, tregon se vija e kuqe që ndan demokracinë nga autoritarizmi është kaluar.

Si i tillë, një pushtet jo demokratik, bën gjithçka që t’i mundë kundërshtarët, kushdo qofshin ata. I lut, i tut, kërcënon, i shantazhon, i njollos. I shpall të paaftë, pa talent, të marrë, tradhtarë. I shpall armiq. Një leksion i qartë për të gjithë ata që bëjnë sehir. Ndërsa, të gjithë ju që keni kuptuar se “barku nga i cilin dalin të tilla monstra s’është shterpëzuar”, ju presin te Teatri Kombëtar në orën 19:00!

*Vrasës me pagesë

Të fundit