Flash News

OP-ED

Armiqtë imagjinarë dhe hijet që i mbeten pas Rilindjes

Armiqtë imagjinarë dhe hijet që i mbeten pas Rilindjes

Patrik Sadikaj

Qeveria festoi 10 vjetorin e antarësimit të Shqipërisë në NATO me një spektakël tipik komunist. Parakalimi ushtarak në të njëjtin vend, dhe me të njëjtin model, ku dikur festohej Traktati i Varshavës tregoi edhe njëherë mendësinë kuadratiste të qeverisë që, me sa duket, modelin e gjen ende në ish-rivalët e NATO-s.

Pas kongresit, po ashtu propagandistik e shumë të kushtueshëm, Rama nuk zhgënjeu dhe lëshoi në “kazan” supën e radhës për shqiptarët dhe këtë e bëri si gjithnjë në atë kazan që pështyn gjithë ditën. Festa e 10 vjetorit të antarësimit në NATO, nuk ishte asgjë tjetër vetëm një arenë ku Rilindja bëri propagandën e saj duke shpërdoruar paratë tona.

Madje këto para, të rrëmbyera me koncensione e PPP, trafik droge e favore politike, kthehen në të vjella kundër kujtdo që nuk mendon ashtu si organizata rilindase. Kulmi arriti pikërisht në ceremoninë e 10 viteve të antarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bashkimi më i madh perëndimor në botë, kur si kryeministri ashtu edhe ministrja lëshuan pa fre atë çka u gatuan kazani i propagandës. Sulmuan opozitën, që fiks 10 vite më parë firmosi antarësimin në NATO. Madje si ministër i Jashtëm, lideri i sotëm i saj, Lulzim Basha në krah të Sali Berishës kryeministër.

Sulmon sot ai grupim politik që 10 vjet më parë, si askund tjetër në botën perëndimore ku duam të shkojmë, organizonte çdo lloj antimitingu për të mos e lejuar këtë firmë, jo se kishte xhelozi se nuk e firmoste ai, por se nuk është aspak në gjakun e tyre qeliza e lirisë që ofron Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Ndër rreshta, në mënyrë direkte sulmuan opozitën se po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë që ofron NATO, BE apo SHBA! Dhe thua se këtij vendi i është fshirë çdo lloj kujtese, e thonë këtë pa pikë turpi për forcën politike që realizoi ëndrrën e madhe të shqiptareve, antarësimin në NATO. Dhe të mendosh se kur firma hidhej në protokollin e antarësimit, nga qeveria e PD-së dhe opozitës së sotme, qeveria që kthen 1 Majin e paradave komuniste digjte goma rrugëve të Shqipërisë. Po, pikërisht ata që sot bërtasin për rrezik nga fuqi të treta, ishin ata që valvisnin flamurin e destabilizimit, duke rrezikuar seriozisht antarësimin e vendit në NATO.

Për ta bërë sa më të përkryer sulmin, ndërtuan një mashtrim të madh me një spot ku askush prej kontribuesve reale të antarësimit nuk ekzistonte. Madje edhe momenti i firmosjes nuk ekzistonte më në arkivat e ministrisë, ama në vend të saj shfaqej ministrja dhe kryeministri që 10 vjet më parë villnin gjithë vrerin e mundshëm për këtë arritje të madhe që sot festojnë.

Fundja, pse jo! Kanë kapur për bishti ‘ariun rus’ dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë me të dhe e lëshojnë kazanëve që të heqin njollën që nuk hiqet, atë të një partie që ka ende në zemër të saj një ish-ministër të komunizmit që drejton atë Kuvend që duhej të ishte i popullit.

Pse mos të ngrejë lart poturet e të krekoset si “ai”, njësoj si Enveri që tundte grushtin në mbledhjen e 81 partive duke trumbetuar për armiq të jashtëm! Nuk i mungon asgjë. ‘Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë’ është ende teza që vërtitet në ‘njeriun e ri’ që krijoi Partia e Punës së Shqipërisë, të cilën sot e trashëgon pikërisht ky grup i klonuar për të qënë “njeriu i ri komunist”. Këto hije nuk i ndahen dot Rilindjes, sado mundohet të krijojë armiq imagjinarë e t’i ngarkojë në kurriz të kundërshtarëve.

Të fundit