Arratisja e Gruevskit/ Fqinjët e Maqedonisë po “mbyllin kufijtë”; asnjë reagim nga Tirana për akuzën serbe

Qeveria e Hungarisë ka mohuar në mënyrë kategorike se ka ndihmuar Nikolla Gruevskin të arratiset nga Maqedonia dhe të kërkojë strehim politik në këtë shtet të BE-së. Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban, ka theksuar se Budapesti nuk ka asnjë rol në arratisjen e ish-kryeministrit maqedonas.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Bullgaria. Kryeministri Boyko Borisov ka mohuar në mënyrë kategorike se Gruevski ka përdorur pasaportë bullgare për t’u arratisur në Hungari. Borisov i konsideroi “fake news” këto pretendime gjatë takimit në Sofje me homologun Zoran Zaev.

(Mediat serbe: Gruevski u arratis nga Shqipëria me pasaportë false)

Ndërkohë, nga mediat serbe ka dalë një version i ri, që bën përgjegjëse Shqipërinë në këtë situatë të komplikuar diplomatike. Sipas medias ‘Politika’ në Serbi, Gruevski është arratisur nëpërmjet Shqipërisë për në Hungari.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga qeveria shqiptare, ndërsa Ambasada e Hungarisë në Tiranë refuzoi të përgjigjej për këtë çështje.

Nikolla Gruevski mendohet se ka përdorur kufirin tokësor për t’u larguar nga Maqedonia. Për momentin, vetëm Bullgaria ka mbyllur mundësinë e kalimit të kufrit bullgaro-maqedonas nga Gruevksi.

Përveç Bullgarisë, Maqedonia ka kufi tokësor me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Greqinë, ndërkohë që shteti ynë po akuzohet nga serbët për këtë çështje.