“Arrestim i Metës?”, përgjigjet Ermonela Felaj: Do të vendosë Komisioni Hetimor

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj foli në Top Talk për letrën që Meta i ka dërguar Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për Gjykatën e Lartë, ku Presidenti kërkon informacione mbi hapat që po ndërmerren për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Lartë.

Felaj tha se KLGJ, në raportin që i ka dërguar Kuvendit, ka gjetur një sërë shkeljesh të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), nën kryesimin e kreut të shtetit.

“Në raportin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit janë gjetur një sërë shkeljesh të bëra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin e drejtonte Presidenti.”-tha Felaj.

E pyetur se nga këto gjetje, apo më tej nga shkelja e rëndë e Kushtetutës, do të ketë arrestim të Presidentit Meta, Ermonela Felaj u përgjigj: “Jo domosdoshmërisht. Varet nga rasti që do të marrin në shqyrtim. Komisioni Hetimor do të raportojë nëse këto shkelje janë ose jo çështje penale”-deklaroi Felaj.