Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alfred Lela
E diela, që është një ditë e ngathtë për lajmet, u nxor prej përtacisë nga një blitz aksionesh policore në veri, jug dhe në qendër të vendit. I pari u arrestua Redi Popesku, pronari i lokalit në Bllok ku ndodhi përplasja e dy bandave të supozuara rivale të Ervis Martinajt dhe Ervin Matës.
Në mbrëmje, në pranga ranë ish-deputeti socialist dhe ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko dhe ish-deputeti socialist, Arben Ndoka. Policia dështoi që të shfaqej po kaq efektive edhe me personazhe të dyshuar dhe të përfolur si bosë të mëdhenj të nënbotës, Klemend Balilin dhe Lul Berishën.
Gjëja e parë që duhet thënë në lidhje me këto arrestime është: Më në fund! Prokuroria, krejtësisht letargjike prej shumë kohësh, pa ndryshuar as me ardhjen në krye të saj të Arta Markut, plotësoi disa dosje dhe futi në rreth disa personazhe të njohur të anti-ligjit, apo dhe disa adminstratorë, politikanë apo njerëz me lidhje politike me partinë në pushtet.
Gjëja e dytë që nuk mund të mos thuash është: Sërish? Prapë 'rrjedhje' informacioni, gjasat janë nga agjentë apo oficerë të policisë, çka u dha rrugë të lirë Berishës dhe Balilit për t'iu shmangur përballjes me drejtësinë.
Gjëja e tretë, e pashmangshme, që duhet përsëritur është se, dy të 'ikurit', Berisha e Balili gëzojnë me sa duket mbështetje politike. Në rastin e 'të fortit të Durrësit' është e freskët 'ndërhyrja' e kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako, i cili 'i shkroi' gjykatës me rekomandimin se Berisha mund të rehabilitohet në institucionin që ai drejton. Kaq mjafton për të kuptuar se, ajo që ndodhi të dielën, edhe pse quhet 'aksion i madh' dhe shoqërohet me numra arrestimesh, përbetime antikrim etj., e ka megjithatë përbrenda një shtresë paradoksi, hipokrizie dhe kontrapedali.
Një gjë e katërt pikaset te toni i retorikës së Kryeministrit, i cili i mëshon shumë arrestimeve të fundit, edhe pse ngjajnë sërish të pakënaqshme. Të tilla se nuk e zhbëjnë perceptimin publik për korrupsion në administratë dhe politikë, dhe dijeninë se ai shkon lart dhe përtej Çukos dhe Ndokës. Niuk është kjo kryesorja, megjithatë: Kryeminstri duhet ta pranojë, më në fund, se këto personazhe vijnë nga radhët e PS, janë të përzgjedhurit e tij, dhe e gjitha kjo është shumë më shumë se çështje 'drejtorësh legena që po na nxijnë fytyrën'.
E pesta, por jo më e pakta në shpjegimin e thelbit të asaj që po ndodh, ka të bëjë me përsëritjen e precedentit ose me 'kokën e turkut'. Duket se me Çukon, Ndokën dhe 'klanin Avdyli' është futur në punë mekanizmi i asaj që mund të quhet 'sindroma Spiro Ksera'. Ish-ministri minoritar u gjykua dhe u dënua për abuzim me fondet, në shuma qesharke në raport me korrupsionin e perceptuar dhe faktik në shtet. Ashtu si Ksera ishte një shmangie, duket se edhe arrestimet e së dielës mund të luajnë një rol të ngjashëm.
Nuk është e para herë që Shqipëria prodhon 'perla' të tilla. Edhe pse krerët komunistë mund të dënoheshin për shumë gjëra, që nga përndjekjet, vrasjet e deri te krimet kundër njerëzimit ata u përcollën në qeli për 'shpërdorim detyre' që përqendrohej te disa abuzime ushqimore ku përfshihej kafeja.
Arrestimet e mbrëmshme nuk mund dhe dhe nuk duhet të jenë 'abuzime me kafenë' për të mbuluar gjënë e madhe, 'pushtimin e plantacionit nga një dergjë shkatërruese'.