Flash News

KRYESORE

Arrestohet Bledar Jambelli, porositësi i vrasjes së Artan Cukut

Arrestohet Bledar Jambelli, porositësi i vrasjes së Artan Cukut

Arrestohet autori i dyshuar si porositës i vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Çuku, një vit e gjysmë pas ngjarjes.

Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier është arrestuar në Athinë në sajë të bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën.

“Nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana jonë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”, sqaron policia.

Deri tani, është vënë në pranga ekzekutori i Cukut, Mikel Shallari, i cili është dënuar me 10 vite për këtë krim, ndërsa mban statusin e bashkëpunëtorit të policisë.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Çuku u ekzekutua me armë zjarri rreth orës 20:45 (8 prill 2017) në zonën e njohur si “Rruga e Kosovarëve” në Tiranë.

Të fundit