Flash News

KRYESORE

Arrestohet kreu i IKMT, abuzoi me detyrën

Arrestohet kreu i IKMT, abuzoi me detyrën

Policia e Vlorës ka arrestuar kreun e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në këtë qytet, Kledjon Ramaj. 30 vjeçari është arrestuar për shkak se gjykata ka dhënë masën “arrest me burg”,  për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Vlora është një prej bashkive ku IKMT ka patur ndërhyrjet më intensive, kryesisht gjatë zonës së plazhit.

Njoftimi i policisë:

Policia ka ndaluar shtetasin:

– Kledjon Ramaj., 30 vjeç, banues në Vlorë, (Kryeinspektor i IMT-së Vlorë).

Ky shtetas është ndaluar nga policia pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, me numër Vendimi Penal 263 datë 30.07.2017.

Njoftimi i prokurorisë:

Nga te dhenat hetimore te deritanishme rezulton se: Prokuroria Vlorë, ka rregjistruar kryesisht procedimin penal

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2017, janë referuar dhe regjistruar në regjistrin e veprave penale 81 (tetëdhjetë e një ) materiale për veprën penale të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Nga administrimi i këtyre materialeve rezulton se në asnjë prej këtyrë rasteve nuk ka paraqitur kallëzim penal IMT pranë Bashkisë Vlorë. Ndërsa nga administrimi i dokumenteve pranë IMT në Bashkinë Vlorë, rezulton se ky institucion nuk ka mbajtur asnjë procedurë administrative në lidhje me 81 (tetëdhjetë e një rastet), për të cilat shërbimet e policisë gjyqësore kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Nga të dhënat e mësipërme rezulton se nga Kryeinspektori i IMT-së pranë Bashkisë Vlorë, janë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, datë 16/07/2007 “Për inspektimin e ndërtimit”.

Rezulton se është detyrë funksionale e Kryeinspektorit të IMT-së, që të kontrollojë zbatimin e ligjshmërisë dhe standarteve teknike ne fushën e ndërtimit dhe urbanistikës, si dhe të evidentojë çdo ndërtim pa leje, duke marrë masat përkatëse deri në paraqitjen e kallëzimit penal. Ky detyrim ligjor buron nga nenet 3, 4 dhe 5 të ligjit nr.9780, datë 16/07/2007 “Për inspektimin e ndërtimit”.

Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për personin nën hetim Kledjon Ramaj. Rezulton se shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë të mundur ekzekutimin e këitj vendimi, duke arrestuar më datë 02/08/2017, personin nën hetim Kledjon Ramaj.

Të fundit