Flash News

KRYESORE

Arroganca dhe nervozizmi i Ramës me Europën

Arroganca dhe nervozizmi i Ramës me Europën

Naum Mara

Intervistat me gazetarë seriozë, i nervozojnë politikanët dhe sidomos ata, që quhen “thin-skinned”, që në shqip, figurativisht, do e përktheja “hidhen përpjetë sa i pickon pleshti”. Tipiku është Donald Trump, por jo i pakët ka qënë edhe Silvio Berluskoni, e deri diku edhe Sarkozi.

Kryeministri ynë, gjatë një interviste dhënë gazetës austriake “Der Standard”, ka dëshmuar, se edhe pa “peshën politike” të tre të sipërpërmendurve, mund të reagojë me arrogancë dhe nervozizëm ndaj pyetjeve, të cilat e vënë në pozitë të vështirë.

Eshtë interesante se, në fillimet e tij si Kryeministër, ai sillej me tepri si europian, bile edhe duke u vetëquajtur “skandinav”, ndërsa tani po shfaq gjithnjë e më shumë karakteristikat e një sunduesi të Lindjes, të modelit Erdogan, që gjithë të këqijat i sheh te Europa.

“Ju racistët e Europës!”; “Ju të pandershmit europianë (non-fair)!”; “Ju mosmbajtësit e premtimeve!”, e të tjera thirrje histerike si këto, ndjehen kur lexon intervistën.

A është kjo shenjë e padurimit të një deliranti apo mënyra klasike e mbrojtjes duke sulmuar?

A është kjo mënyra me të cilën Rama i drejtohet Mogherinit dhe komisionerit Hahn, apo akoma më tej kancelares Merkel?

Disa suksese në paraqitjen e tij në skenën ndërkombëtare, si marrëdhëniet me Merkelin, shfaqja te manifestimi kundër masakrës së “Charlie Hebdo”,  i kanë krijuar bindjen Ramës, se është Prijës i një niveli të lartë me një vend të vogël. Ndaj i duket e çuditshme se si një gazetë e huaj mund ta vendosë para “gjyqit të pyetjeve”.

Problemi i vetëm i tij është se jo të gjithë, dhe jo gjithnjë, mund të befasohen nga “ekzibicionizmi politik” i Edi Ramës. Për arritjet e një qeverie, kriteri i vetëm vlerësues për shtypin e huaj,është gjendja ekonomiko-politike e vendit dhe ndikimi i tij negativ apo pozitiv në rajon.

Për hir të së vërtetës, gazeta austriake nuk është “e ashpër” me gënjeshtrat e Ramës.

Kryeministri gënjen kur thotë kemi ngritur Pallatin e Ri të Drejtësisë, sepse ende nuk ka hedhur as themelet e tij.

Kryeministri gënjen kur thotë se, kanabis mbillej më shumë para tij, por raportet mbaheshin sekret.

Kryeministri gënjen kur thotë, se ka qënë lider i lëvizjes antikomuniste.

Kryeminstri gjithashtu gënjen kur thotë se Ruçi është gjykuar për 4 prillin, ka dalë i pafajshëm dhe nuk ka pse të hetohet brenda PS-së.

Ishin këto vetëm disa nga gënjeshtrat e Ramës, për të cilat nuk pati pyetje pasuese nga gazeta, që do e nervozonin akoma më tepër Kryeministrin shqiptar.

Ballkani ka qenë dhe mbetet në situata politike tepër të brishta, për shkak të historisë tij të përplasjes së etnive, korrupsionit të klasave politike dhe ndikimeve të fuqive më të mëdha të huaja.

Qeverisja e Ramës, po e bën çdo ditë e më tepër, jo pozitiv rolin e Shqipërisë në Ballkan.

Inkurajimi i krimit dhe përfshirja në të e politikanëve është rrezik për gjithë rajonin, se këtu po përqendrohen rrugët e trafikut të drogës.

Flirtimi i hapur me Turqinë e Erdoganit dhe acarimi me Greqinë, anëtare të BE-së është një tjetër cilësi e pahasur më parë në qeveritë shqiptare.

Rama është para një provimi të madh në Europë dhe e di, që vetëm me batutat, me premtimet dhe me akrobacitë diplomatike nuk mund ta kalojë. Duhen arritje dhe këto, për fat të keq të Shqipërisë, mungojnë.

Ndaj dhe provon edhe “gurët e fundit” të arrogancës dhe të “shantazhit me unione më të vogla”, për të pasur edhe një kapërcim provimi me notën “mjaftueshëm”.

E ardhmja e Shqipërisë është në Europë, se ashtu duan shqiptarët.

Në Europë hyhet si europian dhe, për të qënë i tillë nuk mjafton vetëm të mbathësh atlete Adidas.

Të fundit