Arsenali bërthamor, NBC: Trump do ta shumëfishojë

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu dëshirën për të rritur dramatikisht arsenalin bërthamor të vendit gjatë një takimi të zhvilluar në muajin korrik.

Televizioni amerikan NBC, bazuar në burime brenda takimit, raporton se Trump e diskutoi këtë me këshilltarët e tij të sigurisë.

Nuk është e qartë pse ky zhvillim raportohet vetëm tani, por përkon mbase jo rastësisht me tensionin e lartë me Korenë e veriut dhe gjithashtu ndërsa bota pret që Trump të mos miratojë paktin bërthamor me Iranin.

Sipas NBC, gjatë takimit të zhvilluar në Korrik në Shtëpinë e Bardhë, Trumpit ju tregua një grafik për arsenalin bërthamor amerikan, që është ulur tej mase nga 32.000 testata në viteve 60, kur arriti kulmin. NBC raporton se Trump ka kërkuar që të arrihet e njëjta shifër. Aktualisht, SHBA ka rreth 4 000 mbushje bërthamore për përdorim ushtarak.

Presidenti Trump disa herë ka shprehur qëllimin e tij që SHBA të ketë arsenalin më të madh bërthamor në botë, por përmes mesazheve në “Twitter” ai hodhi poshtë si të rremë raportimin  për dhjetëfishimin e tij nga NBC.

Megjithatë, kjo e fundit shtoi se pas takimit ku Trump mendohet të ketë kërkuar më shumë armë bërthamore, sekretari i shtetit Rex Tillerson e quajti Trumpin një idiot, një tjetër raportim mediatik që ka shkaktuar një përballje mes dy politikanëve.

Më herët Trump ka sqaruar për gjithë ata që mbeten të paqartë pas një deklarate të tij, teksa gjatë takimit me shefat dhe udhëheqësit ushtarakë tha “kjo është qetësi para stuhie dhe do të kuptoni”.

Në një intervistë për Fox News, Trump u pyet se çfarë donte të thoshte me frazën e fshehtë, e cila kishte ushqyer shqetësimet se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut ishin më pranë luftës.

“Ne nuk mund ta lejojmë këtë të vazhdojë. Ne nuk mundemi,” tha Trump në përgjigje të pyetjes, duke shtuar se Kina ka qenë shumë e dobishme në këtë situatë. Trump e bëri deklaratën teksa bëhej një foto më 5 tetor përpara se të darkonte me udhëheqësit ushtarakë të SHBA dhe gratë e tyre. Darka pati diskutime për Iranin, Korenë e Veriut, Afganistanin dhe luftën kundër Shtetit Islamik.

Po dje Trump e quajti një marrëveshje diplomatike me Korenë e Veriut të ndërmjetësuar nën ish-presidentin Bill Clinton si një dështim. “Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo duhet të ishte marrë me kujdes shumë kohë më parë”. tha ai.