Flash News

KRYESORE

Arsyeja e dorëzimit të Klement Balilit, media italiane hedh një tezë të re

Mediat italiane kanë pasqyruar gjëresisht dorëzimin e të shumëkërkuarit, Klement Balili, pasi se dyshohet se 48-vjeçari kishte trafikuar drogë edhe në vendin e tyre.

“Milano Today” shkruan në numrin e sotëm se policia italiane e dëgjoi për herë të parë emrin e Balilit në vitin 2016, në kohën kur një sasi e madhe marijuane u konfiskua në Itali; aksion në të cilin kishte marrë pjesë edhe 'Guardia Financia' për vetë faktin që në bazë të hetimeve, ngarkesa kishte si treg Milanon.

Në analizën e profilit të Balilit hidhet edhe një hipotezë e re, sipas së cilës ai mund të jetë dorëzuar tani, pasi ka patur frikë se mund të vritej. "Kush i dorëzohet policisë e bën për dy ose tre motive; nga frika se mos e vrasin e është i detyruar të kërkojë ndihmën e policisë; sepse i janë shkatërruar të gjitha mbrojtjet që ka pasur deri në atë moment, mbrojtje institucionale, nga kriminelët etj. e mes qelisë dhe arkivolit, zgjedh qelinë. Por mund të jetë dhe një skenar i tretë; me këtë gjest kërkon t’i dërgojë një mesazh bashkëpunëtorëve të biznesit të tij; kujdes se momenti është mjaft delikat, qëndroni të fshehur sa të mundeni e ngadalësoni trafikun e drogës pasi i kemi të gjithë pas", mendon një ekspert i drogës që punon për 'Guardia di Finanza'.

Gjykata e Krimeve të Rënda në seancën e mbajtur javën e kaluar dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Balilin, ndërsa hetimet vijojnë nga drejtësia shqiptare mbi aktivitetin e dyshimtë të 48-vjeçarit.

Të fundit