Flash News

KRYESORE

Arsyet e protestave në Tiranë: "Parlamenti dhe gjykatat nën kontrollin e partisë në pushtet"

Zotërues i nëntë gjuhëve të huaja, Daniel Boschler ka një doktoratë në Shkenca Politike nga Universiteti i Gjenevës dhe është autor i disa librave, një ndër ta edhe për sistemet politike në Europë Lindore dhe Qendrore. I intervistuar nga Politiko.al, eksperti zviceran mendon se janë qytetarët dhe jo opozitat motori i protestave në vendet ballkanike. Protesta është i vetmi mjet për të shfryrë pakënaqësitë, mendon Boschler. "Partitë në pushtet, dhe rrjetet ekonomike të lidhura me to, përfitojnë gjerësisht nga abuzimi i pushtetit", shton ai duke theksuar se për këtë qytetarët dalin në rrugë dhe shpallin ankesat e tyre.

Intervistoi: Liridon Cecja

Politiko.al: Siç mund ta dini, në Ballkan, Shqipëri, Mal të Zi apo dhe Serbi kanë shpërthyer një valë protestash kundër qeverive që po udhëhiqen nga partitë opozitare. A gjeni ndonjë gjë të përbashkët në aksionet e tyre?

Daniel Bochsler: Për mendimin tim, në këto raste, plus në Bosnjë dhe Hercegovinë (protesta "pravda za Davida" në Banja Luka), motori kryesor i protestave janë qytetarët, të cilët janë të zemëruar me partitë në pushtet. Në një farë mase, partitë e opozitës mbështesin protestat, ndihmojnë në organizimin ose përpiqen të përfitojnë prej tyre.

Të katër vendet ofrojnë vetëm hapësirë të kufizuar për të shfryrë pakënaqësitë: për shembull, mediat janë vetëm pjesërisht të lira, parlamentet dhe gjykatat janë nën kontrollin e partive në pushtet, sesa të shërbejnë në debatin publik dhe në shërbim të drejtësisë. Partitë në pushtet, dhe rrjetet ekonomike të lidhura me to, përfitojnë gjerësisht nga abuzimi i pushtetit. Pa institucione demokratike që funksionojnë siç duhet, protestat lejojnë qytetarët të shpallin ankesat e tyre.

Politiko.al: Në Shqipëri, qeveria mendon se Rusia po ndikon mbi opozitën për të destabilizuar vendin. Cili është mendimi juaj duke pasur parasysh faktin se të dy vendet nuk kanë ndonjë lidhje historike, si me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi?

Daniel Bochsler: Ju mund të dëgjoni të njëjtën histori në të gjithë rajonin - gjithashtu në Hungari ose Rumani: disa zëra afër qeverisë përpiqen të stigmatizojnë  protestuesit si agjentë të huaj. Në disa vende, protestuesit paguhen me lehtësi nga Kremlini, në të tjerat nga një komplotist hebre, i quajtur Soros, ose nga CIA. Megjithatë, qytetarët nuk dalin në rrugë sepse paguhen, por sepse mendojnë se ata meritojnë një jetë normale, të lirë nga korrupsioni dhe respektimi i të drejtave të tyre demokratike.

Politiko.al: Si një njohës i mirë i ndikimit rus në Ballkan, Kremlini ka tendencë të bashkëpunojë më shumë me qeveritë apo me opozitat respektive?

Daniel Bochsler: Pjesa më e madhe e popullsisë në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë apo Maqedoni shpresojnë në fuqinë dhe ndikimin e Rusisë. Sidoqoftë, ‘muskujt’ e Putinit janë një iluzion, i cili mbështetet nga imazhet e përhapura në shtyp dhe në disa raste, me dashje, të përforcuar nga partitë në pushtet. Ekziston një bashkëpunim ekonomik, që nganjëherë përdoret edhe për qëllime politike, por nëse i shikoni numrat - ekonomikisht, politikisht dhe pjesërisht edhe ushtarakisht - lojtari i rëndësishëm këtu është Bashkimi Europian dhe NATO.

Politiko.al: Cila do të jetë e ardhmja e rajonit, tani që SHBA dhe BE nuk janë më të interesuar për Ballkanin, krahasuar me vitet e kaluara?

Daniel Bochsler: Entuziazmi i drejtuesve të Bashkimit Europian ka rënë. Betejat e brendshme brenda BE-së, pas krizës financiare, por edhe ngecja e reformave në vendet e rajonit, kanë çuar në një qasje shumë pragmatike në rajon, ku BE ka humbur në masë të madhe busullën e saj demokratike. Megjithatë, zhvillimet e fundit mes qeverisë së re në Maqedoni dhe partnerëve të saj në Greqi, e kanë kthyer edhe njëherë faqen. BE mund të mësojë nga kjo; është shumë më mirë të bashkëpunohet me forcat pro-demokratike në rajon, në vend se me autokratët.

Të fundit