Artan Fuga nga Franca: Duhet reformim total i sistemit arsimor. Është njësoj si t’i hedhësh benzinë të mirë një makine pa motor

Akademiku Artan Fuga, në një lidhje me “skype” nga Franca për emisionin “Kjo Javë”,  ka komentuar protestën e studentëve dhe situatën në arsimin e lartë.

Sipas Fugës, sistemi i arsimit në Shqipëri ka rënë, ndërsa shton se unoversitetet kanë mbetur pa sistem drejtimi por ka çarje.

“Midis rinisë universitare dhe politikave arsimore, qeverisë dhe institucioneve ku ata studiojnë, universiteteve, ka një humbje besimi. Ka një ngërç në këtë marrëdhënie. Ndonëse unë nuk jam i këtij mendimi që është dialogu që zgjidh gjërat. Unë i kuptoj studentët sepse në një farë mënyre, vijnë nga rrethe të ndryshme, vijnë në influenca të ndryshme dhe nuk mund të presësh që në dhjetë ditë ata të krijojnë një unitet”.

Më tej Fuga shtoi se ka një kaos total në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Universitetet kanë mbetur pa sistem drejtimi. Është një kaos total. Ka çarje mes administratorit dhe rektorëve, senateve dhe bordeve, mes përfaqësuesve dhe ministrisë. Një institucion i çarë në dysh, nuk e di nëse mund të ndodhë. Pasi kam parë tekstin e kam thënë se kjo do të sjellë kaos. Shumë mirë të rritet në 5% GDP, problemi është që kjo duhet të shkojë me reformimin total të sistemit.  Është njësoj si ti hedhësh benzinë të mirë një makine pa motor. Në këtë rast paratë do të shkojnë dëm”, u shpreh më tej Fuga.