Artur Zheji: Pse kemi polici militantësh dhe jo të depolitizuar

Gazetari dhe analisti Artur Zheji thotë se policia shqiptare është e militarizuar dhe jo e depolitizuar. Në “360gradë” në RTV Ora, gazetari Zheji tha se policët kanë frikë kur ndërrohen pushtet se mos e largojnë nga puna, ndaj dhe janë të politizuar.

“Ai mendon se nëse ikën nga pushteti qeveria që e ka veshur e mbathur polici, ai ikën pasi nuk ka një status të qëndrueshëm, sepse vjen një qeveri tjetër dhe i nxjerr në rrugë.

Përderisa policia nuk do të ketë një status real të depolitizuar, kur vjen e djathta i heq këta dhe vjen e majta dhe i heq. Prandaj policët janë shumë militantë sepse mbrojnë bukën e kalamajve të tyre, dhe kjo është e drejtë”, thotë Zheji, referuar edhe rasteve më të fundit të debateve ku ka qenë e përfshirë Policia e Shtetit, si dhuna te teatri, rasti i 15 vjeçarit të rrahur pranë Liqenit Artificial etj.