Flash News

KRYESORE

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, arrestohet një tjetër person i përfshirë

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, arrestohet një tjetër person i

Një tjetër person është arrestuar për plagosjen dhe atentatin ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoj në nëntor të vitit të shkuar.

Policia njofton se në pranga ka rënë Ariol Halilaj, 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.

Ai është i arrestuari i dytë në lidhje me këtë ngjarje pas 34-vjeçarit Redjan Rraja nga Nikla e Fushë-Krujës.

Më 1 nëntor të vitit të shkuar makina në të cilën po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja ra pre e një breshërie kallashnikovësh pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës. Se bashku me të në automjet ndodhej edhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me pseudonimin Land Muharremi ose Rrumi, person me precedent të mëparshëm kriminal. Edhe ky i fundit mbeti i plagosur ndërsa shoferi Andi Maloku ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Në fshatin Shkafane, Durrës, u gjet i braktisur mjeti tip “Benz”, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për zbardhjen e plotë të kasaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në të.

Të fundit