Atentati/ Policia në kërkim të “Julit të Pashakos”, si i dyshuari iu zhduk policisë dhe u rishfaq më 1 nëntor

Nga mbrëmja e djeshme, RENEA bashkë me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nisur një operacion për të arrestuar personat e tjerë të dyshuar në atentatin në mbikalimin e Shkozetit. në pasditen e 1 nëntorit. Nga breshëritë e armëve u plagosën dy persona, prokurori  i Durrësit Arjan Ndoj dhe Land Muharremi, i njohur për uniformat blu dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Një emër i cili dyshohet si i përfshirë në atentat, përveç Redjan Rrajës, është edhe Julian Sulaj. Hetuesit nga ekspertiza e kryer në makinën e gjetur që u përdor në atentat kanë zbuluar gjurmë të tijat. Sipas Abc News, FNSH dhe RENEA kryen kontrolle në 5 qytete të vendit për të arrestuar Sulajn, i cili ndryshe njihet edhe si “Juli i Pashakos”.

Ka dyshime se pak para se të niste operacioni, shtëpia ku ai qëndronte ishte “pastruar”. Agjentët e policisë kryen kontrolle edhe në Peqin, ku dyshonin se fshiheshin dy persona të tjerë, por nuk arritën që t’i kapnin ata.  Dyshimet janë se Juli i “Pashkos” mund të fshihet në zonën e kënetës.

Sipas hetuesve, ai ishte duke përgatitur një tjetër atentat të bujshëm në një qytet të rëndësishëm të vendit, por e braktisi planin e tij pasi kuptoi se policia ishte vënë në ndjekje të tij. Për disa kohë u zhduk dhe u rishfaq në ngjarjen e rëndë të datës 1 nëntor.