Atmosferë festash në Tiranë, ndizen dritat e pemës së Krishtlindjeve te Pazari i Ri

Ndërsa po trokasin festat e fundvitit, siç është bërë traditë, Pazari i Ri është shndërruar në një nga hapësirat më të bukura dhe të frekuentuara në Tiranë.

Mbrëmë u ndezën dritat e festave dhe nën ritmet e muzikës së fëmijëve dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, dritat e pemës së Krishtlindjeve te Pazari i Ri, shënuan simbolikisht mbërritjen e festave dhe atmosferës së gëzueshme në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj uroi të gjithë fëmijët për festat dhe shtoi se edhe në këto ditë të gëzueshme Tirana do të jetë solidare dhe mirënjohëse.

“Në Bashkinë e Tiranës marrim çdo ditë nga një mijë letra dhe kërkesa, por këtë vit morëm një peticion nga të gjithë kalamajtë e Pazarit të Ri, të cilët thoshin se kemi qejf t’i hapim dritat pak më shpejt. Ca njerëz thanë se nuk ka lezet, koha nuk është ftohur ende, dhjetori s’ka ardhur, por pastaj stafi im më tha: Po ne këto gjëra të bukura i bëjmë për kalamajtë, nëse kanë qejf që t’i ndezim dritat më herët, tek Pazari i Ri do i ndezim më herët. Ndaj, gëzuar festat! Dua që të gjithë të përqafoni dikë që keni pranë, që s’e keni takuar më parë, të jepni nga një përqafim, të tregojmë se Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe kryeqyteti i dashurisë, mirësjelljes, mirënjohjes dhe i solidaritetit! Faleminderit të gjithëve nga zemra. Gëzuar, mbarësi, shëndet e lumturi të gjithëve!”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës po punon që edhe familjet e prekura nga tërmeti ta kalojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja, ndërsa ftoi fëmijët dhe prindërit e tyre që të kontribuojnë që të gjithë fëmijët e Tiranës të festojnë. “Kemi shumë fëmijë në disa zona në fshat, aty ku ra tërmeti dhe ka prishur disa shtëpi, të cilat po nxitojmë t’i ndërtojmë përpara se të vijë fundi i vitit, por dua që të gjithë kalamajtë që kanë një mundësi për të bërë një dhuratë të vogël për moshatarin apo moshataren e tyre në fshat, në zonat që janë prekur nga tërmeti, të sigurohemi që të gjithë kalamajtë e Tiranës i festojnë festat”, tha kryebashkiaku.