Aurela Gaçe nga protesta për përdhunimin e 15-vjeçares: Duhet të flasim dhe ne kur shohim e dimë raste të tilla

Në këto momente po zhvillohet protesta për përdhunimin e 15-vjeçares nga ish-roja i shkollës, një nga ngjarjet më të diskutuara për momentin e cila ka shkaktuar shumë debat e diskutim. Në protestën e sotme, të pranishëm janë edhe shumë artistë të ndryshëm.

Këngëtarja Aurela Gaçe bashkë me mikeshat e saj Eli Farën dhe Manjola Nallbanin i është bashkuar protestës.

Aurela tha për New24 se ajo është aty jo vetëm për këtë rast por për të gjitha rastet që ndodhin pas shpinës sonë e para syve tanë. Gjithashtu, ajo shprehu dhe shqetësimin për të gjithë ata që fajësojnë viktimën dhe kërkoi që shteti duhet të vendosë diçka më të fortë se ç`është tani. Këngëtarja Aurela Gaçe tha gjithashtu se në rastet kur përdhunimi ndodh dhe kemi dijeni duhet të flasim dhe ne.

“Heshtin për shkak të paragjykimeve, është për të ardhur keq që ne mund të fajësojmë viktimën. Si mund të shprehemi qe donte vetë? Një fëmijë do vetë të preket? Kjo është e papranueshme. Jam këtu për të thënë që jam qytetare e këtij vendi dhe si prind bëj punën time sigurisht në shtëpi dhe për ato vajza që kanë frikë të flasin. Jam këtu që shteti të vendosë diçka më të fortë se çka tani. Një njeri që përdhunon fëmijët duhet të bëhet shembull që të ketë frikë para se të prekë një fëmijë. Duhet të mendohet shumë herë përpara se të prekë një fëmijë. Nuk është një rast, nuk jam këtu për një rast, ndodhi dje diçka po sa raste ka pas shpinës sonë, para syve tanë. Kaq keq të jemi të masakruar në shpirt sa të arrijmë të bëjmë këto gjëra? Ne duhet të shkojmë vetë të flasim nëse shohim diçka se ndoshta fëmijët nuk flasin,”- tha Aurela.