Autori serb që kërkon njohjen e Kosovës dhe thotë se, sot këngëtaret folk ndikojnë më shumë se çdo shkrimtar

Filip Davidi është ndër shkrimtarët më të njohur të ditëve tona në Serbi. Edhe pse në moshë të shtyrë, 78 vjeç, ai njihet gjithashtu si një ndër penat e mprehta të publicistikës në periudhën e pas viteve nëntëdhjetë, kritik i rreptë i luftrave në ish-Jugosllavi dhe aktivist i palodhur për paqen dhe të drejtat e njeriut në vend. Në Shqipëri njihet me romanin “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës”, fituese e çmimit NIN, më prestigjiozit në Serbi, ndër veprat e tij më të vlerësura nga kritika brenda e jashtë Serbisë dhe e botuar në disa gjuhë. Filip David jeton dhe punon në Beograd.

Intervistoi: Virgilius/ Politiko.al

Le ta kapim demin nga brirët – në qoftë se mund të shprehemi metaforikisht – dhe ta nisim këtë intervistë me çështjen më të mprehtë të ditës: para disa ditësh ju jeni cituar të thoni se „konfuzioni në shoqërinë tonë në Serbi vjen si rrjedhojë e trusnisë mbi Kosovën dhe se zgjidhja e vetme do të ishte „njohja e Kosovës“, duke qenë se „konflikti i ngrirë mund të shpjerë në një konflikt të ri me armë“. Po kështu jeni shprehur, citoj: „pa njohur pavarësinë e Kosovës në Serbi s’ka për të pasur stabilitet të brendshëm, ashtu siç s’ka për të pasur stabilitet për këtë pjesë të Ballkanit“. Mund t’i shtjelloni për lexuesin këto thënie tuajat?

-Nuk kam thënë asgjë të re. Pavarësia e Kosovës është një proces i kryer. Tash kërkohet vetëm një mënyrë për ta zyrtarizuar. Ngurrimi i autoriteteve serbe për ta njohur e vë Serbinë në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Me sa duket kjo gjë – mospranimi dhe zgjidhja në kohën e duhur të konflikteve që ndodhën gjatë viteve nëntëdhjetë e më vonë, por pranimi vetëm atëherë kur e shohin veten me shpatulla pas murit dhe iu duhet të përballen me realitetin, se nuk ka zgjidhje tjetër – është shndërruar në një traditë dhe karakteristikë të politikës serbe. Nuk arrij t’i kuptoj këta kinse patriotë dhe atdhedashës që janë të gatshëm të luftojnë kundër Kosovës së pavarur deri në serbin dhe shqiptarin e fundit, të cilët kanë më për zemër dhe duan me gjithë shpirt shkatërrimin e plotë dhe jo marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Çfarë do të fitonte Serbia prej njohjes së pavarësisë së Kosovës? Një marrëveshje të mirë e të ndershme për mbrojtjen e pakicës serbe, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë dhe hapjen e rrugës për përfundimin e negociatave për të hyrë në Bashkimin Europian. Në rast të kundërt i gjithë Ballkani është i kërcënuar nga konflikte të vazhdueshme me pasoja të paparashikueshme që do të ndiznin Europën, por edhe botën mbarë.

Yousef Bashir, veprimtar amerikano-palestinez dhe autor i librit „Fjalët e tim eti“ thotë: „Nuk duhet t’i lejojmë kujtimet e lënduara të drejtojnë të ardhmen tonë“. Më duket një paradigmë e përkryer për të gjithë ne këtu në Ballkan. Si mendon?

-Për mendimin tim janë fjalë të një njeriu të urtë, i cili, duket sheshit, ka përjetuar në kurriz se çfarë do të thotë urrejtje, mungesë tolerance, hakmarrje dhe se dhuna e vjetër lind vazhdimisht dhunë të re. E kaluara nuk mund të fshihet nga kujtesa, krimet duhen ndëshkuar, por e shkuara ashtu siç ka qenë duhet të na dëftojë rrugët e reja ku duhet ecur drejt një jete më të mirë, drejt paqes e bashkëpunimit mes të gjithë vendeve në hapësirat tona.

Opinioni i përgjithshëm është se kultura lypse të jetë ambasadori më i mirë mes popujve. Për fat të keq, në rajonin tonë, kemi parë shermbuj jo të rrallë sesi shkrimtarë, historianë, piktorë etj., kanë luajtur një rol të dorës së parë në krijimin e miteve nacionaliste. Në këtë pikë çfarë mendoni se duhet bërë për t’i dekontaminuar kulturat tona nga kjo frymë?

-Fatkeqësisht elitat tona intelektuale kanë luajtur një rol të mbrapshtë në vitet e prishjes së Jugosllavisë, duke ngjallur forma të ndryshme të jotolerancës, para së gjithash politike e nacionaliste, dhe i ofruar mbështetje përhapjes së frymës së urrejtjes. Fjalët e shqiptuara prej tyre u shndërruan në armë reale në frontet e luftës, në plumba që vranë realisht njerëz. Mjaft të kujtojmë të ashtuquajturit „mitingje popullore“, kur politikanët dilnin dorë për dorë me individë dhe shoqata të ndryshme që përfaqësonin elitat kulturore dhe në vend t’i qetësonin pasionet i ndiznin edhe më keq, duke përçuar një retorikë të rrezikshme që i shtroi rrugën një numri të madh krimesh nga më të përbindshmit. Unë i përkas atij grupi të vogël që iu kundërvu asaj politike, atyre politikanëve dhe pseudointelektualëve. Por në zallamahinë e përgjithshme zëri ynë nuk ia doli të dëgjohej me gjithë fuqinë e vet. Ne përfaqësonim, siç do të theksonte Radomir Konstantinoviç në mbledhjen themeluese të rrethit beogradas, atë pjesë të vogël të Serbisë, e cila iu kundërvu krimeve dhe denoncoi me forcë politikat e spastrimit etnik.

Njiheni si kritik i qeverisjes aktuale dhe i pushtetit politik në përgjithësi. Cili është këndvështrimi juaj rreth skenës së sotme politike në Serbi?

-Situata politike në Serbi është mjaft konfuze dhe kaotike. Në pushtet janë ata që në vitet nëntëdhjetë kanë qenë pranë pushtetit të Millosheviçit ose kanë marrë pjesë aktive në qeverisjen e tij. Vuçiç, fjala vjen, ka kryer detyrën e ministrit të Informacionit dhe e ka bërë ashtu siç ia lypte puna: asfiksoi mediat dhe ka dhënë njoftime që i hidhnin benzinë zjarrit; ministri [i sotëm] i Mbrojtjes, Vulin, mbahet mend si bashkëpunëtor besnik i Mira Markoviçit [bashkëshortes së Millosheviçit]. Lista e atyre që përbënin themelin e pushtetit të Millosheviçit, e ndiznin zjarre, ndërkohë që sot luajnë rolin e zjarrfikësit, është e gjatë. Ndaj është e vështirë t’u zësh besë synimeve të tyre paqedashëse dhe reformatore. Dakord, edhe mund ta pranoj mundësinë që njerëzit ndryshojnë, se ndryshojnë bindjet e tyre, por kjo gjë duhet dëshmuar me vepra e jo me dokrra dhe fjalë në erë.

Siç duket sot demokracia vuan nga një sëmundje e rëndë: sovranizëm, populizëm, nacionalizëm – sëmundja ka shumë emra. Mendoni që kjo sëmundje do të ndikojë mbi të ardhmen tonë? Dhe në rast se po, cilat mund të jenë pasojat për vendet tona, duke pasur parasysh të kaluarën me diktatura, luftra dhe persekutime?

-Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë sesi situata e sotme ngjan shumë me atë në prag të Luftës së Dytë Botërore. Me fjalë të tjera që botës i kanoset një katastrofë e përmasave të mëdha. E vërteta është se ekzistojnë shumë vatra zjarri që mund të shndërrohen në zjarre me përmasa globale, dhe se konflikte të armatosura me pasoja të paparashikuara mund të shpërthejnë për shkak të besimeve ose arsyeve ekonomike, politike, territoriale. Por, për mendimin tim, asnjë prej këtyre konflikteve nuk është pjekur aq sa për t’u shndërruar në një luftë të re botërore, çka nuk do të thotë se nuk mund ose s’ka për të ndodhur. Kohët në të cilat jetojmë janë tejet dramatike, i kanë dhënë krahë nacionalizmit dhe populizmit; Europa dhe SHBA kanë marrë djathtas, çka, padyshim, sjell tensione të reja. Gjithsesi katastrofat mund të ndodhin edhe për arsye që njeriu nuk e ka në dorë t’i ndalojë, katastrofa për shkak fatkeqësish të mëdha natyrore qofshin tokësore ose kozmike.

Kur e pyetën për origjinën hebraike, Philip Roth reagoi duke thënë se e refuzonte etikën e të qenit ‘shkrimtar amerikano-hebre’, çka e konsideronte të pasaktë dhe jashtë vendit e kohës. “Unë jam shkrimtar amerikan dhe kaq” e kishte zakon të thoshte. Në librin tuaj, përkthyer e botuar edhe në shqip, “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës” personazhet tuaj kanë një identitet të forte hebreu, por në të njëjtën kohë ata jetojnë në Serbi dhe janë serbë. Çfarë impakti ka pasur kjo gjë në jetën tuaj si shkrimtar dhe, për rrjedhojë, edhe te personazhet e librave tuaj?

-Miku im dhe njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të Jugosllavisë së dikurshme, Danillo Kish, nuk e pranonte që ishte shkrimtar hebre. Thoshte se nuk ekzistonte letërsia hebreje, por vetëm shkrimtarë me origjinë hebreu, por që i përkasin asaj letërsie në gjuhën e së cilës ata shkruajnë. Para disa vitesh mora pjesë në një takim në Jeruzalem që merrej pikërisht me këtë temë: Kush është shkrimtar hebre. Gjithë-gjithë bëheshim njëzetë pjesëmarrës, të gjithë ne shkruanim në gjuhë të ndryshme, për tema të ndryshme dhe gjëja e vetme që kishim të përbashkët ishin rrënjët hebreje. Asgjë tjetër s’kishim të përbashkët: as gjuha në të cilën shkruanim, as shkollimi, as temat që shtjellonim. Letërsia hebreje nuk ekziston; Kishi kishte të drejtë. E megjithatë është interesant fakti që shkrimtarët me origjinë hebraike, shkrimtarët nga Europa Qendrore, hodhën themelet e letërsisë moderne. Dhe për këtë gjë ka një shpjegim historik bazuar në luftën e zhvilluar nga intelektualët hebrej për emancipim, të drejtat e njeriut dhe ato qytetare, para Holokaustit dhe themelimit të shtetit të Izraelit. Unë jam shkrimtar serb që shkruan në serbisht, por temat e romaneve dhe tregimeve të mia frymëzohen prej trashëgimisë letrare hebraike. Në kohën kur njëzetvjeçar botova vëllimin tim të parë me tregime një kritik i njohur letrar krahas lavdërimit shprehej se tregimet ishin shkruar nën ndikimin e Kabalës dhe letërsisë onirike. Atëherë as që e kisha idenë se çfarë ishte Kabala dhe veç paskësaj në rrjedhën e viteve u njoha me mistikën e traditës hebraike, me pasurinë e pashtershme të motiveve të rrëfimit.

Kur hyn në një librari në Beograd sheh se autorët shqiptarë që gjenden në t­ë mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për autorët serbë në libraritë e Tiranës dhe, në përgjithësi, për të gjithë shkrimtarët nga vendet e rajonit tonë. Përse vallë është kjo indiferencë dhe neglizhencë, nëse mund ta quajmë kështu, kundrejt njëri-tjetrit?

-Ky është një fakt i hidhur që dëfton vetëm marrëdhëniet e këqia ndërshtetërore. Por kjo gjë vlen edhe për librat që vinë nga Kroacia, Bosnja dhe Mali i Zi, vende me të cilat nuk ka pengesa gjuhësore. Për disa politikanë shkëmbimi i librave dhe, në përgjithësi, i produkteve kulturore është një veprimtari subversive që duhet penguar dhe jo ndihmuar e inkurajuar. Siç shkojnë punët tani do të na duhet të presim edhe ca para se diçka të ndryshojë.

Filip, ju keni qenë mik e koleg i Danillo Kishit, Borislav Pekiçit, Mirko Kovaçit dhe një grupi shkrimtarësh kontestues në vitet ’70. Ndër ta vetëm Kishi është i njohur me “Varreza për Boris Davidoviçin”. A mund të na thuash, të lutem diçka për skenën kulturore në Jugosllavinë e kohës dhe sesi arti e kultura kanë ndryshuar në raport me situatën në të cilën ndodhen sot?

-Dikur në Jugosllavinë njëpartiake letërsia ka pasur një ndikim më të madh nga ç’ka sot… Liria politike nuk shkon gjithmonë krah për krah me krijimtarinë. Fakt është se në shtetin e atëkohshëm kishte autorë cilësorë që i tejkalonin pengesat e ndryshme ideologjike, por, gjithashtu, në pushtet ishin njerëz që e kuptonin dhe e respektonin qasjen e këtyre autorëve. Sigurisht që kishte edhe nga ata që e shihnin artin në mënyrë dogmatike, por që e kishin të pamundur ta asfiksonin, t’i vinin fre dhe ta ndrydhnin vitalitetin artistik të individëve të talentuar. Duke qenë se jetonim në një sistem njëpartiak ekzistonte një trusni e caktuar politike i partisë së vetme në pushtet. Por kurrsesi nuk duhet harruar se ekzistonin ndryshime të mëdha lidhur me të ashtuquajturin “realizëm socialist” në raport me vendet satelite të Bashkimit Sovjetik. Zgjerimi i hapësirave të lirisë erdhi përmes letërsisë, përmes arteve…

Revistat letrare dhe mbrëmjet e bujshme letrare luajtën një rol të dorës së parë në jetën kulturore dhe politike të vendit. Zor se mund të bëhet një krahasim mes atyre kohëve kur nuk kishte televizor, kompjutera, internet dhe kohëve të teknologjive të reja që ia kanë ndryshuar me themel faqen botës së sotme. Jetonim me bindjen se me anë të të shkruarit do të ndikonim që marrëdhëniet në shoqëri të ndryshonin për mirë. Ndoshta, këqyrur nga perspektiva e sotme, ky besim ishte vetëm një iluzion dhe, deri-diku, naiv. Por një gjë është jashtë çdo dyshimi, krahasuar me sot shkrimtarët atëherë ushtronin një ndikim të pakrahasueshëm e të dorës së parë në shoqëri.

Sot, siç u shpreh para pak kohësh shkrimtari Laslo Vegel, çdo këngëtare folku, ndërsa unë do të shtoja, edhe çdo pjesëmarrës i spektakleve pornografike reality show që televizionet serbe transmetojnë në frekuenca nacionale përditë, dit’e natë, ndikojnë ku e ku më shumë se çdo shkrimtar. Mbarë shoqëria serbe në kuptimin moral e ekzistencial është fundosur në llumin e primitivizmit dhe banalitetit, çka është një mënyrë për ta anestizuar shoqërinë në një situatë kur përballemi me probleme të shumta në politikën e brendshme, në marrëdhëniet me fqinjët, kur jetojmë në një pasiguri të madhe dhe pa pasur një perspektivë të qartë për të ardhmen.

Beograd, maj 2019