Flash News
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Avokati i Popullit: Braktisja e fëmijëve në Evropë, kambanë alarmi
Sipas Ministrisë së Punës italiane rreth 5200 fëmijë në vit enden rrugëve të Italisë, si fëmijë të braktisur. Rreth 1700 prej tyre janë nga vendet e Ballkanit, ku Shqipëria ka një pjesë të konsiderueshme.
Avokati i Popullit ka reaguar për fenomenin e braktisjes së fëmijëve shqiptarë në vendet e BE. Përmes një deklarate për mediat, Avokati i Popullit thotë se zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë duhet të gjendet te kurimi i origjinës së problemit . Sipas AP prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë mbrojtje sociale dhe kjo është një kambanë alarmi për autoritetet shqiptare.
Deklarata e AP:
Institucioni i Avokatit të Popullit, apelon që zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë në rrugët e vendeve të huaja, të gjendet te kurimi i origjinës së problemit që e gjeneron këtë fenomen: varfërisë së skajshme, pabarazisë shoqërore dhe mungesës së theksuar të vëmendjes shtetërore për fëmijët dhe shtresat e tjera vulnerabël në vend.
Në disa media është njoftuar prania e të miturve shqiptarë të pashoqëruar, në rrugët e Italisë. Edhe më herët (2016) Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin për këtë dukuri për të cilën sinjalizon shpesh edhe shtypi apo institucionet e vendeve të prekura.
Shpesh, raportohet se menjëherë sapo udhëtojnë në vende perëndimore, kryesisht Itali, prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë kështu mbrojtje sociale, siç është detyrim ligjor në këto vende të BE-së. Fenomeni përbën një këmbanë alarmi për autoritetet publike shqiptare. Institucioni i Avokatit të Popullit, vëren me shqetësim se ato që nuk po funksionojnë, janë mekanizmat lokalë për adresimin e kësaj çështjeje komplekse e mbi të gjitha për parandalimin e këtij fenomeni, si dhe për rikthimin e sigurt dhe të mbështetur të fëmijëve pranë familjeve të tyre.
Zgjidhja më e mirë e problematikës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura.
Avokati i Popullit është i mendimit se autoriteteve tona qendrore u takon përgjegjësia jo vetëm për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe për të shtuar dhe zhvilluar mjetet për përmirësimin e pozicionit të fëmijëve në shoqëri, arsim, kujdes social dhe dalje nga varfëria.
Institucionet tona dhe të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë dhe të kuptojmë se interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë prioriteti ynë i përbashkët.
Avokati i Popullit nënvizon se është thelbësore që institucionet tona të tregojnë:
- Kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
- Standarte më të larta të shendetit dhe aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
- Të drejtën për arsimim falas dhe të mundësueshëm për të gjithë fëmijët.
- Asistencë të veçantë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre për mirërritjen e fëmijëve.
Ftojmë të gjitha institucionet, individët dhe grupet që të bashkohen në punën për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të veprojnë e të marrin vendimet në interesin më të mirë të tyre.