Flash News

KRYESORE

Azemi n'shpi

Nga Alfred Lela

Heronjtë nuk kanë kurrë bark, por vetëm kraharor, shpatulla e ballë. Kështu edhe për Azem Hajdarin, që u dha dje në sheshin kryesor të Bajram Currit, i derdhur në bronz, 'më i madh se jeta'. Ishte kthimi në shtepi, apo 'n'shpi', siç do thonin bashkëqytetarët e tij.

Të cilët janë mbledhur të shumtë, si për festë, në sheshin me emrin e Azemit. Për të pritur djalin e Tropojës, mbërritur, siç tha dje një tjetër luftëtar, Daut Haradinaj, në formën më sublime të heroit, 'i fundit nga lufta'.

Ndër ata që po e prisnin është edhe një burrë në moshë, i vogël në shtat, një thuajse jotropojan në këtë pikë, por i dendur në mjekër dhe në tingëllimën e fortë fonetike të dikujt nga këto anë. Heq syzet si për të thënë 'ma lexoni pikëllimin dhe mallin' dhe e paraqet veten si mësuesin e Azemit të ri. Ngre kryet drejt shtatores dhe thotë 'bash kështu ka qenë'.

Nuk ka drojë në atë shtatore, siç nuk ka patur asnjë grimë te Azemi. Hapi derdhet përpara, thuajse i shkëputur nga trupi, si për të thënë se më të guximshmit hapin kanë një dekik' para kohës. Të tjerat, mendja, gjoksi, barku, janë veç armatura mbështetëse e vetes që kërkon të shkojë diku para vetes e të tjerëve.

Kush është Azem Hajdari?

Ata që pyesin nuk dallojnë, as te përmendorja dhe as te jeta, hapin dhe aq më pak idenë. Në dhjetor '90, dhe në ata pak muaj, të paketuar shkujdesshëm si vrull dhe shpresë, para se decemberistët shqiptarë ta kthenin mbrapsht akullnajën e komunizmës, Azemi ishte kraharori që i tha hapit 'ec përpara' drejt një pranvere.

Preç Zogaj, në librin 'Fillimet', duke kujtuar atë ndërrim stinësh e përshkruan Azemin, në takimin e tyre të parë në Tropojë, si dikë që dukej se 'sapo kish zbritur nga kali'. Duhet të ketë qenë dihatja dhe kreshpërimi i atij që ishte nisur në takimin e vet me historinë.

Mpiksur në sa e sa ngjarje, që ne tashmë i dime, dhe Azemi i përbrendësoi në kraharor. Të grumbulluara sot e përgjithmonë te kjo shtatore.

Kush është Azem Hajdari?

I riu që zbriti prej këtij sheshi alpin, me tërsëllimën e një gege, drejt zemrës së gjërave. Duke i matur pulsin vetes dhe kohës, ai prodhoi një lëvizje që i binte fiks orës së Shqipërisë. Orëpremë ra ai, me të njëjtën zhurmë me të cilën u ngrit, një natë shtatori gjithë stuhi, sërish në zemër të gjërave.

Kthehet n'shpi, sërish mbi kalë, dhe pa asnjë plagë. Në një shesh banon ai tani. Njëherë e përgjithmonë. Në sheshe e shkroi Azemi historinë e vet, të Tropojës dhe të Shqipërisë.

Nuk mund ta shkulësh andej.

Të fundit