Flash News

KRYESORE

Bacë, u kry, ose saga e name dropping

Bacë, u kry, ose saga e name dropping

Shkelqim Cela

Lexova shkrimin e një tjetër eruditi shqiptar në shtyp. Nuk ka rëndësi se si arrita deri atje, por u ndodha para monitorit me tekstin ne fjalë, dhe edhe një herë e ndjeva veten si nën glasat e pafund të zogjve që binin nga lart, nga qielli, se eruditët bashkëkombas nuk mund të flasin veçse për qiell e për skëterrë, për hyjni e kozmogoni, për klasikë përdëllimsjellës, për kalcifikime zulmash dhe zombie enciklopedishë, vertikalisht pra, jo për gjëra horizontale të përditës e të insanit të thjeshtë, prite Zot rrezikun! Sepse ajo gjë do t’i pengonte për merakun kryesor që ata kanë, për xhyben akademike të “bacës së dijes”, për të përdorur një përcaktim të Kadaresë. Një ndjesi e vjetër m’u përshfaq përsëri, si gjithnjë në raste të tilla: ishte shoqëruesi i grupit tonë vizitor të Kanionit të Madh që shpjegonte ndikimin e rëndësishëm të glasave të zogjve në atë çarje gjigande të dheut, çarje që t’i sillte të prekshme nocionet e skëterrës dhe qiellit tek këmbët e tua, përmes trillit të papërsëritshëm të visores, dhe jo me prrofka metafizike artikujsh shtypi shqiptar. Ideja që glasat e fluturakëve e jo gjëra tokë-lëkundëse a shpërthyese ishin domethënëse për atë rrethinë, nuk m’u shqit qysh atëhere, dhe sa herë shikoja makinat e mbuluara me të pëgëra pëllumbash në rrugët e pista të Bronksit, Kanioni i Madh hapej në një qoshk të parapëlqyer të kujtesës. Mos ndoshta ishin glasa arkeopteriksësh dhe pterodaktilësh? nisa të pyes veten, duke e kuptuar në sekondën e fundit se kisha rënë edhe vetë në lakun eruditmadh të kumbimeve dhe emrave. Flama, si zakonisht, ishte ngjitëse. Sidoqoftë, “Glasat e emrave” (name dropping), u lidhkësh si nën dhe (në mënyrë latente, më thotë vetja me ngashnjimin e pordhacit të rëndomtë) me krahasimin e fluturakëve, - kjo erdhi me gëzimin e vetishëm të një zbulimi. Vinte në gjuhën e huaj, të shtresëzuar brenda meje mu si glasat epokale të zogjve në Kanionet e Mëdha, pas njëzet vjetësh qëndrimi në vendin e huaj: fraza “name dropping” përzihej e shlirët me “bird droppings”, duke i bërë emrat kumbonjës dhe të menduar për përshtypje e mbresa të thella kanionike insanësh lëçitës, glasa të bezdisura zogjsh. Dhe një glasë do të të gjejë dikur, gjasa e saj për këtë është si ajo e pikave të shiut që të të lagin… Sa e vogël është ajo gjasë kur e mendon, reja po formohet diku mbi Paqësor dhe ti po shëtit në San Francisco…, për këtë sikur ka shkruar një vjershë edhe Driteroi, për një glasë xhakete. Mbase pastrimi kimik në Shqipëri linte për të dëshiruar. Por nejse, njeri pa lagur në këtë botë nuk mbet, edhe beduin shkretëtire në qofsh. Sikundër edhe laraskë pa bisht, ergo pa glasë. Kjo vjen nga numri i pafund i pikave, nga ligji i numrave të mëdhenj. Fakti që glasat eruditofile të emrave na stërpikin medoemos diku(r), tregon pikërisht këtë: numrin e madh të tyre, mu si kuaj beteje në luftërat e palodhura të kavalerisë pundite për gralin e shenjtë të bacës së dijes. Name dropping është i bekuar si bastuni për të çalin. Dijen s’mund ta mbash, ti je një gotë dhe ajo është një Niagarë, mor vëlla, do derdhet ku(r)do…, shko bjer e fli, i thua djalit të vogël, mos rri i mëdyshur si Hamleti, të fle a të mos fle, kjo është çështja. Homerin e ke shok lagjeje, Cervantesit i ke dhënë diçka veresije, ndërsa poetëve të panjohur DFISEWU dhe NISDVDS, u ke prerë kërthizën, pastaj Buddha, po si mund të bësh pa diçka ekzotike, si do bësh pa Buddhën, të lutem shumë, njohuritë e thella të lindjeve të largme s’mund të mbesin pa përdorim, do të ish një humbje e papranueshme për Ballkanin demokraci-shpikës e më gjerë, ato nuk janë një stoli dekorative, si inteligjencia që nuk është e tillë  për një komb, dija, shokë dija, eh, ma falni ngashërimin, e ka kultura e thellë këtë, vetëm një Foucault apo Eco do më kuptonte, por ja, iku dhe ai i fundit, qan një Bolonjë e tërë, e bashkë me të bota mbarë. Mërzitet edhe artileristi Avdo Babaramo tek i thotë Bido Sherifit se nuk është koka jote për artileri, o Bido, po ç’të bej unë i ziu që s’kam me kë llafos. Mërzia bëhet gjithëpërfshirëse (ah, sikur të isha i lejuar të përdorja fjalën ‘comprehensive’, por ç’e do, s’mund ta bëj, gjendem i kapur pisk si në mitologjinë shtëpiake greke, dua por s’mund, mund por s’lejohet, lejohet, por ka pasoja), mërzia kaplon edhe atë që kuturis e futet në labirint, mërzia është një jorgan i trashë që mbulon pyetjen “çfarë (dreqin biblik) the, dhe kujt i hyn në punë kjo!”, ajo pyetje gërrhet sepse përgjumja është habitati (Ja e thashë, më doli nga shpyrti si fjalë! Pa qeni qepën të hajë!) më i mirë në një qiell të mbushur me glasa emrash, lavazhi i makinave është biznesi më tërheqës në mëmëdhe, nuk di për pastrimet kimike, plus që Agolli e bëri vjershën me glasë, ja, ajo më kryesorja, letërsia pra, u bë, më vjen keq që Agolli nuk u caktua për Nobel, por ia tha qartë Kadaresë, me gojën e vet, apo të së shoqes, s’e mbaj mend mirë tani, por sa je ti në valle i tha, unë nuk rhynj aty, pasi ta fitosh ti, tjetër punë pasandaja, do ta shohim atëhere meselenë e Nobelit, ja kështu. Tani dëgjova që na ka humbur edhe durimi i pritshmërisë kadareske, ajo “i duruari, i fituari” ilir, kundërshtohet nga pellazgët paraardhës me “sa të mendohen të mençmit në Stokholm, budallenjtë kryejnë punë”. Në fund të ditës është një “win-win situation” (s’ka nevojë të them lumturinë time eru-ditse që e thashë edhe këtë, madje po vazhdoj), kot thonë që shqiptarët nuk dinë të zbatojnë teorinë e lojës me shuma pozitive (ah njerëzimi, shokë, njerëzimi…, m’i bëni kabull këto ofshama dijenishë aleksandrike, janë të pavullnetshme), ja pra si të gjithë mbetemi të kënaqur, “me drejtus e gazetarë” sindozot thoshte Fiks Fare një herë motit për TV Klanin, zvjerdhja nga leximi vjen e mbrothët dhe e mbarë, me parashije monopoli e monocentrizmi, ‘dixhejtë’ me famë lokale në shkuma-parties të krahinave pushimtare arbërore i kanë gati rrathët prej vinili, hitin e verës s’jua solla unë, atë e gjeta midis jush, pra ja ku erdhëm tek fundi i amëshuar me bacë dhe patriark, të ma gëzosh dijen, bacë, u kry.

 

Të fundit