Flash News

KRYESORE

Balla: Prokuroria po përpiqet të mbyllë skandalin “CEZ”, më të madhin në 27 vjet

“Prokuroria po përpiqet të mbyllë skandalin “CEZ”, më të madhin në 27 vjet”, kështu shprehet kreu i grupit parlamentar të Partisë socialiste Taulant Balla. Balla ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë dërguar Kuvendin për pushimin e çështjes së CEZ. Sipas Ballës, Prokuroria po bën pazare të shumta politike.

REAGIMI I TAULANT BALLËS:

Prokuroria po përpiqet të mbyllë një prej dosjeve më të qarta të korrupsionit në këto 27 vite: skandalin “CEZ”.

Pa kryer asnjë hetim minimal; pa marrë në pyetje asnjë të akuzuar, asnjë dëshmitar, asnjë person në dijeni; pa marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve të raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar. Prokuroria që u ngrit brenda ditës për të arrestuar një deputet mbi bazën e një materiali të botuar në media me përgjimet e dy kriminelëve, jo vetëm nuk e vë ujin në zjarr për një material të shkruar me fakte kompromentuese e me emra  peshqish të mëdhenj e të vegjël, të dyshuar për krim ekonomik e korrupsion me përmasa tronditëse, po na e paska dërguar dosjen në Gjykatë duke kërkuar mbylljen e saj!!! 

Kush janë këta prokurorë? Kush u ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin që të sillen me drejtesinë si tregtarë qëniesh të gjalla dhe ta trajtojnë popullin shqiptar si mish për top? Kush është pas këtyre kukullave të këtij teatri të neveritshëm, me drejtesinë si mjet për të sulmuar dhe për të mbrojtur në emër të interesave politike e korruptive që fyejnë Shqipërinë, popullin, drejtesinë?! 

Prokuroria po bën pazare që vijnë erë të keqe me kilometra larg! Prokuroria po shfaqet hapur si vegël e politikës dhe padrejtësisë! Prokuroria po provon me veprimet e mosveprimet e saj, një kalbëzim të tmerrshëm! 

Por prokuroria nuk ka për ta ndalur dot orën e drejtësisë, që po vjen dhe që ka tmerruar politikanë, prokurorë e gjykatës të korruptuar! Kurrë nuk do ta ndalojë dot, edhe sikur të gjejë në gjykatë njerëz të tredhur e të korruptuar, njësoj si ata që e kanë çuar dosjen e CEZ-it për ta varrosur pa asnjë lloj procesi minimal hetimor!

Të fundit