Balla: PS ka diskutuar për Pjetrin, ligji e ka të qartë edhe dënimin

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu rikthye sërish çështjes së Valdrin Pjetrit. Ai tha se në parti është diskutuar për çështjen e kryebashkiakut të tërhequr, që u akuzua se ka qenë i dënuar në Itali nga opozita. Sipas Ballës, marrëdhënia me ligjin është individuale dhe se ai që ka faj, e ka të qatë dënimin.

“E para, në PS është diskutuar për këtë çështje dhe ajo që ne do të bëjmë në vijim është zgjidhja jo vetëm për ne, por për çdo forcë politike. Duhet të kuptojmë se marrëdhënia me ligjin është një marrëdhënie individuale dhe përgjegjësitë nuk mund t’i marrë forca politike, që nga verifikimet paraprake na verifikonte që Pjetri nuk ka pasur probleme. Ne jemi vënë në dijeni të një certifikate, ajo që lëshon Ministria e Drejtësisë, që ka të bëjë me mos të qenit i dënuar. Nëse nuk e deklaron, ligji e ka të qartë edhe dënimin”, tha Balla në emisionin “Opinion” në News 24.

Në lidhje me situatën në Shkodër, ai tha se në këtë bashki do të ketë zgjedhje të pjesshme.

“Nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhen zgjedhje të pjesshme. Janë bërë zgjedhje të pjesshme në Dibër dhe në Kolonjë. Partitë garojnë, por është KQZ dhe Presidenti që vendosin. KQZ ka të gjithë autoritetin, pasi kthehet nga puna që të vendosë për datën. Prefekti i Shkodrës ka konstatuar vakancën e krijuar dhe është KQZ që vendos për datën. Data 13 tetor për ne nuk ka kuptim, nuk do të thotë asgjë”, u shpreh kreu u grupit parlamentar të PS-së.

Balla shtoi se në zgjedhjet e 2021, PS do të bëjë gjithçka është e mundur që të garantohet vota e emigrantëve shqiptarë.