Balla tregon bisedën me Metën për datën e zgjedhjeve para 9 muajsh: Më bindi!

Ka nisur në Kuvend mocioni me debat për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve vendore nga ana e presidentit Ilir Meta, këtë të hënë.

I pari e ka marrë fjalën kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili depozitoi edhe kërkesën për këtë mocion shoqëruar me debat, që pritet të zgjasë për pesë orë.

Duke e konsideruar si një akt të paprecedentë dhe të pavlefshëm, Balla u shpreh i bindur se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor, ndërsa mocionin e sotëm e cilëson si të parin që ndodh në historinë e demokracisë në Shqipëri.

“Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të presidentit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve vendore, si një kapërcim të kompetencave të institucionit të presidentit, duke e konsideruar këtë akt që synon të pengojë realizimin e të drejtës kushtetuese të shqiptareve për të zgjedhur me votë vendorët, në emër të grupit parlamentarë të PS këtë debat, që është hera e parë që mbahet në 28 vite të demokracisë. Në përfundim do ju kërkoja të gjithëve pa asnjë ndryshim të kaheve politikë, të miratojmë një rezolutë sipas draftit që keni para. Dekreti i datës 10 qershor është antikushtetues, zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Presidenti ka vetëm një kompetencë, caktimin e datës së zgjedhjeve, pasi presidentin e kemi çliruar nga çdo përfshirje në procesin zgjedhor. KQZ është qeveria e zgjedhjeve, caktimi i datës është kompetencë e Metës, por jo privilegj i tij. Nuk e zgjedh dot periudhën zgjedhore, është e përcaktuar me ligj”, tha Balla.

Po ashtu, ai tregoi edhe bisedën me presidentin Meta 9 muaj më parë, kur u vendos data e parë, 30 qershori, si dita e zgjedhjeve vendore.

“Para 9 muajsh presidenti e ka kryer këtë procedurë. Unë si kreu i grupit të PS i kam propozuar datën 9 qershor. Ai me të drejtë tha janë vetëm dy data 23 ose 30 qershor. Data 9 ishte brenda kuadrit të sezonit, sepse arsyetimi im ishte të mos ndikojnë në sezonin turistik si kërkesë e kompanive turistike.

Ai më bindi dhe unë u binda se data 30 qershor është e vetmja datë e fundit për zgjedhjet vendore sipas Kushtetutës. Këtë kompetencë e ka vetëm një herë dhe këtë e ka ezauruar që ditën që dekreti ka hyrë në fuqi”, u shpreh Balla.