Balliu: Rama kërkon viktima, po provokon opozitën për të shpëtuar kokën

Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu deklaroi në rubrikën ‘Opinion’se Rama po provokon ndaj protestave të opozitës.

Balliu shkoi më tej duke thënë se Rama kërkon viktima, me qëllim që të shpëtojë kokën e tij.

“Protesta e qytetarëve te Unaza e Re ka shpëtuar 40 milionë euro. Protestat kanë demaskuar projektin. Rama kërkon gjak për të shpëtuar kokën e tij. Ajo që më shqetëson mua është gjendja e atyre banorëve. Në vend që Rama dhe qeveria të qetësojë situatën, provokon. Edi Rama provokon që të ketë përplasje. Por, përplasja te Unaza mund të sjellë pasoja të mëdha dhe të parikuperueshme.”, tha Balliu.

Për Balliun, Rama çon policë te Unaza me qëllim që të tërheqë vëmendjen nga votimet e 30 qershorit, ku sipas Balliut u vodhën edhe vota.

“Dje solli policinë, për të fshehur dramën e madhe politike të udhëhequr nga Rama. Ai bëri 30 qershorin, zgjedhje diktatoriale në vend, duke tentuar të kthejë sistemin diktatorial në Shqipëri. Sot Policia e Shtetit, konkretisht Komisariati numër 6, me urdhër politik është kërkuar shoqërimi i banorëve. Pse duhet të arrestohen? Që kur është ndaluar të protestohet në vendin tonë? Kjo është qeveri banditeske”, u shpreh Balliu.