Flash News

OP-ED

Ballkan-ik

Ballkan-ik

Sokol Shameti

Ka diçka shumë qesharake tek ata që ndihen njëfarësoj pjesëmarrës indirektë te suksesi i Kroacisë, për shkak të përkatësisë sonë të përbashkët ballkanike me ta.

Janë mbushur statuset e shqipeve me krenari vëllazërore ndër ballkanasish. E gjithë kjo vjen si një justifikim për të përligjur dështimin tonë e për ta kompensuar atë me një lloj delegimi në distancë të fitores që na takon neve, te ca të tjerë.

Kështu me rregull treshi, këta të tjerët (kroatët ballkanas) duhet t’ia kushtojnë suksesin e tyre atij përbërësit të lashtë e të fshehtë që e kanë të përbashkët me ne, që jemi gjithashtu ballkanas. Paçka se po të ishte ashtu, ajo substanca magjike që i lidh kroatët me ne dhe të cilën e kemi edhe neve nëpër gjak, do na kishte nxjerrë edhe neve në selamet.

Po ashtu, këtij revanshizmit të identitetit ballkanik si mjeti i vetëm që na bën edhe neve aksionerë në sukseset e ballkanasve të tjerë, nuk ia kursej dot cinizmin e Zhizhekut kur flet për sforcimin e gjithë ballkanasve për të mos u identifikuar me Ballkanin.

Të mos harrojmë çfarë kuptojmë thellë thellë me fjalën Ballkan: despotizëm, terror, urrejtje etnike dhe gra që vriten e përdhunohen ‘me pëlqimin e tyre’. Çka ndryshon thelbësisht nga Europa: despotizëm, terror, urrejtje etnike dhe gra që vriten e përdhunohen, por pa pëlqimin e tyre.

Të pyesësh sllovenët, thotë Zhizheku, Ballkani i vërtetë nis tamam-tamam në Kroaci, ndërsa Sllovenia është vazhdim i identitetit europianoqendror. Kroatët vetë protestojnë dhe thonë se ata janë katolikë, prandaj Ballkani me fanatizmin dhe prapambetjen e vet fillon më poshtë, andej nga ortodoksia, në Serbi e tatëpjetë.

Serbët vetë gjithsesi mendojnë se janë më të emancipuar dhe kësisoj më pak ballkanikë se kokëtrashët malazezë e shqiptarë. Edhe vetë shqiptarët kanë “Ballkanin” e tyre të brendshëm që veçon jugun e perëndimin fushor e bregdetar nga veriu e lindja malësore, folklorike e kuazi-barbare.

E njëjta fenomenologji e përshkallëzuar gjithashtu haset edhe nga jugu në veri me grekët, shqiptarët, maqedonasit, bullgarët e të tjerët, që i pasojnë me zell njëri-tjetrit llagapin e ballkanasit duke mënjanuar veten me pretekste si mesdhetarë, të latinizuar, trashëgimtarë të Aleksandrit, jo-sllavë, jo-cirilikë, e më the e të thashë.

Ngado që ta kapësh, askush në Ballkan nuk ka dëshirë të jetë ballkanas.

Por, ky distancim prej Ballkanit - që befas u zhduk me rastin e një ndeshjeje futbolli, ka sipas Zhizhekut - rrënjë më të gjera e më të thella.

Austriakët e konsiderojnë fillimin e vërtetë të Ballkanit pikërisht në Slloveni. Gjermanët e konsiderojnë Austrinë si vazhduese të Austro-Hungarisë, pra ka diçka të errët prej Ballkani tek ajo.

Francezët, përkundrazi, këtë errësirë të frikshme barbarie e shohin te Gjermania që është në sytë e tyre një si biçim Ballkani i madh.

E në fund, të vetmit që janë të sigurt se s’janë ballkanas, janë anglezët të cilët, aty nga ishulli i vet mendojnë se e gjithë Europa është, në fakt, një rimishërim i Ballkanit perandorak me Brukselin në qendër si Kostandinopoja e re.

 

Të fundit